Drejtuesja e Kadastrës së Durrësit, Risena Xhaja ka reaguar pas publikimit të kronikës së trasmetuar mbrëmë nga emisioni invetigativ STOP lidhur me shqetësimin e banorëve të pallatit “EDAL”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Xhaja vlerson punën e bërë nga emisoni, por sipas saj raportimi duhet të ishte më i drejtë dhe nuk duhej shtrembëruar faktet.
Duke iu referuar Kodit Etik të Medias, ajo ka listuar edhe pikat kur një lajm nuk konsiderohet i drejtë.
Ndër të tjera, drejtuesja e kadastrës së qytetit bregdetar ka shtuar se vlerësimi ligjor i procedurës së ndjekur nga një institucion shtetëror, gjykohet nga organet kompetente.
Sakaq, Xhaja ka kërkuar ndjesë “për konsumin e cigares, jo në zyrë siç u parashtrua, por në ambientin e përshtatur për konsumimin dhe lejimin e saj“.
Postimi i plotë:
Në vijim të kronikës së trasmetuar mbrëmë nga emisioni invetigativ STOP lidhur me shqetësimin e banorëve të pallatit “EDAL” vlerësoj punën e këtij formati për të qenë pranë shqetësimeve të qytetarëve, por pa shtrembëruar faktet e bazuara në ligj.
Referuar Kodit Etik mbi të cilën mbështet punën e saj, Media, gjatë raportimit duhet të respektojë integritetin personal të individëve:
“Asnjë lajm apo përmbajtje programore nuk konsiderohet e drejtë, nëse :
nuk i përmban të gjitha faktet e rëndësishme;
përmban fakte të parëndësishme dhe i shpërfill ato më të rëndësishmet;
padashur apo me qëllim mashtron shikuesit dhe dëgjuesit;
raportuesit përdorin shprehje ose makinacione që zbulojnë njëanshmërinë e tyre.
“Pa dashur të analizoj më tej mungesën e etikës së gazetarit në raportimin dhe përcjelljen e të vertetës (fakte të regjistruara, nga vetë ai, por të pa publikuara në emision)në përmbushje të rolit të tij si “public watchdog”, vlerësimi ligjor i procedurës së ndjekur nga një institucion shtetëror, gjykohet nga organet kompetente.
Në përmbyllje, më lejoni të shpreh ndjesën time publike për konsumin e cigares, jo në zyrë siç u parashtrua, por në ambientin e përshtatur për konsumimin dhe lejimin e saj. Përtej keqardhjes për gabimin njerëzor, në kushtet e mbingarkesës në punë dhe përpjekjes për t’i dhënë hapësirë kërkesave të çdo qytetari, mbetet një veprim që nuk e justifikon qasja e hapur, e çlirët dhe jo zyrtare në komunikimin me gazetarin e pranishëm.





