Bashkia Durrës, në bashkëpunim me Institutin e Kërkimeve Urbane dhe Universitetin “Aleksandër Moisiu” prezantuan planin vendor të menaxhimit të integruar të mbetjeve për periudhën kohore 2026 – 2031.
Ky dokument strategjik synon zhvillimin e një sistemi modern dhe të qëndrueshëm të menaxhimit të mbetjeve në territorin administrativ të Bashkisë Durrës. Plani bazohet në parimet e reduktimit të mbetjeve, rikuperimit të burimeve, mbrojtjes së mjedisit dhe përfshirjes aktive të komunitetit, duke kontribuar për një model të orientuar drejt ekonomisë qarkulluese.
“Durrësi ka një mbulim të mirë në sipërfaqe, por ka nevojë për të përmirësuar cilësinë, ka nevojë për të përmirësuar dhe optimizuar mënyrën e menaxhimit të mbetjeve dhe në këtë kuadër ka nevojë që ta bëjë këtë përmes një plani, i cili të përcaktojë qartë sistemin e grumbullimit të mbetjeve, sistemin e transportit të tyre dhe të hapë rrugën për fillimin e procesit të ndrarjes në burim dhe selektimit të mbetjeve për riciklim”,- tha për “DurrësLajm” Edlir Vokopola nga Instituti i Kërkimeve Urbane.
Bashkia Durrës, e dyta më e madhja në vend, përballet me sfida të vazhdueshme në menaxhimin e mbetjeve urbane për shkak të dendësisë së lartë të popullsisë dhe bizneseve. Sidomos gjatë sezonit turistik, dy apo trefishimi i popullsisë shumëfishon ngarkesën mbi shërbimet bashkiake të pastrimit. Për këtë arsye, ky plan ka disa objektiva kryesore.
“Një nga objektivat kryesore është rritja e eficensës së shërbimit për qytetarët, por gjithashtu edhe qëndrueshmëria në realizimin e këtij shërbimi. Një nga objektivat e tjera është edhe sjellja e bashkisë drejt një ekonomie lëvizëse, të qëndrueshme. Mbulimi i shërbimit të të gjithë territorit realizohet me anë të një prej produkteve të planit, që është edhe harta e kontejnerëve, që janë të shpërndarë në të gjithë bashkinë. Deri më tani, hartat jo vetëm që nuk ishin të miratuara, por edhe nuk kishin të përcaktuar venddepozitimet”,– tha Rudina Trikshiqi, përgjegjëse e sektorit të mjedisit, pranë bashkisë Durrës.
Forcimi i bashkëpunimit mes qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve në nisma të përbashkëta, si dhe rritja e ndërgjegjësimit publik dhe edukimit për menaxhimin dhe reduktimin e mbetjeve janë të tjera objektiva të këtij plani, që pritet të miratohet në periudhën në vijim nga bashkia Durrës.
M.B.





