Është komanduar pak ditë më parë, në krye të PD Durrës, si pjesë e grupimit të Enkeled Alibeajt.

Joni Myshketa, një ekonomist në profesion, prej vitesh është i angazhuar pranë Partisë Demokratike, ndërkohë që rrjedh nga një familje durrsake, që ndër vite ka nxjerrë personalitete të shquara në fusha të ndryshme.

Megjithëse ka zgjedhur ta marrë këtë post në një nga momentet më të vështira që po kalon PD, në një kohë kur dy grupimet Berisha-Alibeaj kanë diferenca të ndjeshme në qasjen e tyre opozitare, Myshketa e ka të qartë qëllimin e tij në krye të PD: Për të gjetur gjuhën e bashkimit!

Ai pohon se dalja me kandidatë të ndryshëm “do ta dëmtonte PD, pasi fraksionon votat dhe kjo nuk i shërben PD e mbi të gjitha qytetarëve që duan ndryshim”.

“Ka vetëm një PD, e cila është e hapur për të gjithë pa asnjë dallim, brenda saj duhet të zhvillohen të gjitha idetë. Nuk mund t’i shtrijmë kurrkujt dorën e bashkëpunimit pa gjetur rrugën e përbashkët mes njeri-tjetrit ky është detyrim, justifikimet janë shtojca ose detaje, të cilat të bëjnë të humbasësh thelbin”,– thotë ai më tej.

Po ku do të përqendrohet fokusi i tij gjatë drejtimit të degës lokale, kur do të përfundojë ngritja e të gjitha strukturave të degës, a ka tashmë një emër që do të kandidojë për bashkinë Durrës dhe si është pritur nga rrethi i tij familjar e shoqëror ky angazhim i ri politik?

Këto dhe shumë pyetjeve të tjera Joni Myshketa u kthen përgjigje më poshtë, në intervistën e dhënë për “DurrësLajm” në këtë fundvit.

Kush është Joni Myshketa për të gjithë ata që nuk e njohin?

Vij nga një prej familjeve më të vjetra durrsake. Nga im atë vi nga një familje e nderuar tregtarësh, arsimtarësh, artistësh dhe politikbërës duke përmendur avokatin e njohur Hysen Myshketa, i cili dha jetën për bindjet e tij politike dhe parimet e tij. Nga ana e time mëje gjithashtu vij nga një prej familjeve të mëdha të qytetit të Shijakut, nga familja Metalla njerëz të ndershëm, besimtarë, tregtarë dhe arsimtarë, ku babai i sime mëje i burgosur në atë kohë dhe familja jetoi në internim për një kohë të gjatë. Jam gjithashtu qytetar aktivist dhe anëtar i Partisë Demokratike prej vitesh tashmë, baba i dy fëmijëve të mrekullueshëm.

Cilat kanë qenë reagimet që keni marrë gjatë këtyre ditëve nga familjarët, të njohurit dhe miqtë tuaj dhe a ka pasur nga ata që ju kanë thënë: Ç’tu desh që u përfshive?

Në përgjithësi reagimet kanë qenë të dyzuara, siç është edhe vetë natyra njerëzore, pasi brenda nesh qëndron dualiteti universal i së mirës dhe së keqes dhe na duhet të bashkëjetojmë me të dyja duke krijuar një ekuilibër për të prevaluar e mira. Po, ka pasur miq të mi të mirë, të cilët ma bënë këtë pyetje dhe flas për njerëz të afërt të cilët më njohin në 360 gradë duke shprehur haptazi nivelin e ulët të besueshmërisë që politika ka krijuar. Por mund të them që të shumtë kanë qenë ata që më kanë përgëzuar miq, familjarë e më gjerë duke më dhënë mbështetjen e tyre.

Ju jeni prej shumë vitesh anëtar i PD-së. Cili është komenti juaj për situatën ku ndodhet tani partia më e madhe opozitare dhe a e dëmton kjo gjë opozitarizmin në Shqipëri?

Ndiej keqardhje dhe më dhemb realisht kjo ndasi artificiale, që është krijuar brenda PD-së. Theksoj artificiale, pasi anëtaret e saj që nga krijimi i PD deri dje ishin te gjithë së bashku dhe duhet të jenë përsëri, punuan krah për krah njeri-tjetrit, duke ndarë përgjegjësitë, orët e vona, lodhjen, ushqimin, sot anatemohen me një gjuhë, e cila nuk i shkon përshtat askujt. Kjo gjuhë nuk duhet t’i përkasë edukatës qytetare e për fat të keq zbret në drejtim vertikal nga lart poshtë.

Për mua kjo është e papranueshme, pasi mund të ndash mendime të kundërta, të cilat ke të drejtën t’i thuash, t’i mbrosh, por pa ofenduar asnjeri, nëse ka te vërteta ato duhet me patjetër te thuhen e të vërtetohen e jo të përdoren fraza të lëna në mes a tymnaja thjesht për të krijuar mjegull. Patjetër që opozita dëmtohet nga kjo ndasi e pakuptimtë aq sa mund të them e stisur për qëllime jo në të mirë të opozitës dhe qytetarëve shqiptarë, pasi opozita është aset, që përqafohet nga njerëz të vendit tone të cilët janë miqtë tanë, shokët tanë, familjaret tanë, komshinjtë tanë, ashtu si dhe ata njerëz a anëtarë të forcës në pushtet me të cilët haptazi kemi filozofi të ndryshme, por nuk duhet të zbritet në ofendime personale, familjare etj.

Para kemi zgjedhjet lokale të 14 majit. A do ta dëmtojë PD dalja me dy kandidatë, duke pasur parasysh që në Durrës opozita nuk fiton prej 22 vitesh?

Lidhur me atë që thashë pak më parë mendoj që e dëmton, pasi fraksionon votat dhe kjo nuk i shërben PD e mbi të gjitha qytetarëve që duan ndryshim, aq më tepër në rastin e Durrësit që ka 22 vjet që rotacioni politik nuk ka ndodhur. Qytetarët kanë nevojë për një qasje tjetër të drejtimit të qytetit, duan një marrëdhënie njerëzore.

Përfitoj nga rasti të shpreh dhe njëherë vullnetin tim për të gjetur gjuhën e bashkimit, i cili është detyrim i çdo anëtari të PD e aq më tepër i pjesës së lidershipit të saj, pasi ata të gjithë janë produkt i kësaj partie, falë punës, përkushtimit, besimit të çdo anëtari, por kjo duhet të ndodhë në mënyrë institucionale brenda të gjitha standarteve evropiane pro perëndimore. Qëllimi për të cilin u krijua kjo parti dhe ky institucion është përtej emrave të përvetshëm, duhet të japë shembullin e saj, seriozitetin e saj e përfaqësuar nga njerëz te ndershëm, dinjitoz, të cilët besojnë në vlera njerëzore, në familje, komb, pronë e zot. Vetëm kështu PD me filozofinë e saj do jetë e besueshme dhe alternativa e qeverisjes qoftë lokale qofte kombëtare.

Ka vetëm një PD, e cila është e hapur për të gjithë pa asnjë dallim, brenda saj duhet të zhvillohen të gjitha idetë. Nuk mund t’i shtrijmë kurrkujt dorën e bashkëpunimit pa gjetur rrugën e përbashkët mes njeri-tjetrit ky është detyrim, justifikimet janë shtojca ose detaje, të cilat të bëjnë të humbasësh thelbin.

Ku do të fokusohet puna juaj si kryetar i PD-së?

Puna ime si kryetar është organizimi i strukturave, bashkërendimi i prioriteve, dhe përkushtimi maximal per te përkrahur këdo, qe ndan filozofinë e kësaj force politike ne raport me te vërtetën, dhe ne përkushtimin për ngritjen e standarteve perëndimore te bashkëjetesës.

Grupimi i Berishës në Durrës duket se ka më shumë anëtarë, kanë marrë selinë e degës, u janë bashkuar edhe disa figura të njohura që deri 2 muaj më parë rreshtoheshin përkrah Bashës dhe Alibeajt. A është e vërtetë se ju jeni më të paktë në numër?

Situata  në të cilën ndodhet PD jo vetëm ne Durrës, por edhe më gjerë besoj është aq e pazakontë sa edhe absurde, pasi kjo është një situatë, e cila nuk është krijuar nga anëtarësia, pra nga pjesa më vitale e kësaj force politike.

Do të thoja që jo patjetër numrat tregojnë nëse jemi në anën e gabuar, ashtu siç nuk na bën më të mirë se bashkudhëtarët tanë të gjithë këtyre viteve së bashku. Duke marrë shkas nga pyetja juaj do të thosha që nuk është selia ajo që mbledh njerëzit, por mendimet dhe idetë që ata përqafojnë.

A janë ngritur tashmë strukturat e FRPD dhe LDG si dhe grupseksionet apo është një proces që do të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm?

Strukturat janë në proces e sipër dhe brenda janarit do jenë të përfunduara.

Meqë jemi në prag të ndërrimit të viteve, cili është urimi juaj për qytetarët e Durrësit, por edhe shqiptarët?

Uroj që viti 2023 të na gjejë sa më pranë njeri- tjetrit, qoftë duke ndarë një përshëndetje të përzemërt me çdo kënd pa asnjë dallim, fetar, racial a politik. Ti afrohemi natyrës sonë duke respektuar veten në radhë të parë e duke ndarë sa më shumë dashuri për secilin prej nesh.