Transferohen mjekët e Poliklinikës së Specialiteteve në Durrës. Prej disa ditësh stafi mjekësor është vendosur pranë Spitalit Rajonal, në katin e parë të godinës së Pediatrisë.

Shkak për këtë është bërë rikonstruksioni i godinës, që do të nisë së shpejti. Janë rreth 15 mjekë specialistë që tashmë presin pacientët nga e gjithë bashkia Durrës në ambientet e reja të Pediatrisë, e cila u rikonstruktua tërësisht një vit më parë.

Poliklinika e Specialiteteve nuk është mbyllur ende plotësisht, pasi aty vijojnë të ofrohen disa shërbime që do të transferohen në ambiente të tjera.

“DurrësLajm” mëson se së shpejti do të spostohet nga ambientet e Poliklinikës së Specialiteteve edhe stafi i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Durrës.

Godina 3 katëshe do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë, pasi është në gjendje të amortizuar dhe nuk krijon kushtet optimale për ofrimin e shërbimit mjekësor.

Kujtojmë se pranë saj, ngrihej edhe ish-godina e Drejtorisë së Shëndetit Publik, e shembur në korrik 2020, për shkak të dëmtimeve të rënda të marra nga tërmeti i 3 viteve më parë.

Rindërtimi i ambienteve të saj nuk ka nisur ende, ndërsa prej 3 vitesh shërbimet që ofroheshin pranë saj tashmë kryen në ambiente private të marra me qira.

M.B.

Lexo edhe: