Pas një përkushtimi 32-vjeçar në rradhët e Policisë së Shtetit, ish-efektivi Islam Carja u nderua ditën e sotme me certifikatën e karrierës. I dalë në pension vetëm pak muaj më parë, Carja i kujton kështu fillimet e tij në polici, mes viteve të kaluara në forcat e kufirit në Librazhd dhe Tropojë.

“Fillimet kanë qenë pak të vështira. Nisa në Librazhd, dhe pas 3 vitesh më dërguan në Tropojë, si oficer kufiri. Në Durrës kam nisur punë në vitin 2002 . Nga ai vit, deri në nëntor 2022 kam shërbyer në policinë e rendit, në zonën e plazhit,”,- tregon ai për “DurrësLajm”.

Prej pak javësh, ai është në pension tashmë. I pyetur nëse është penduar ndonjëherë që zgjodhi këtë profesion, Carja duket se nuk ka dyshime.

“Po jua them me sinqeritet. Kam kaluar momente të vështira, por asnjëherë se kam menduar largimin nga policia apo angazhimin në një tjetër profesion. Gjithnjë jam përpjekur, që me punën time të arrija objektivat e kërkuar”.

Carja beson se pavarësisht se lufta me krimin është beteja kryesore e Policisë së Shtetit për të përmbushur misionin e saj për garantimin e rendit dhe sigurisë, fitorja do të anojë nga e mira.

“Lufta me krimin është e vazhdueshme, do të ketë përherë përplasje. Policia e Shtetit është e angazhuar në punën e saj për të mposhtur krimin në çdo rast”,- thotë ish-efektivi Carja.   

M.B.