Kryeministri i vendit Edi Rama bashkë me ministren e Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku, zhvilloi sot një takim me përfaqësues të disa kompanive dhe institucionesh financiare ndërkombëtare të interesuara për ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano. 

Në konferencën për shtyp ku të pranishëm ishin përfaqësuesit e 30 kompanive të huaja financiare, Rama u shpreh se vetëm njëra prej tyre do e fitojë tenderin duke theksuar se ky projekt ka një rëndësi strategjike jo vetëm për Shqipërinë por të gjithë rajonin e Evropës Juglindore.

Edi RamaKishim kohën e nevojshme për të shqyrtuar këtë projekt strategjik kaq të rëndësishëm për vendin dhe besoj edhe për rajonin e Evropës Juglindore dhe dua t’ju falënderoj sinqerisht për ardhjen deri këtu, për këtë ballafaqim çka në këndvështrimin tim tregon jo vetëm interes por edhe besim. Dua t’ju siguroj se jemi të vetdijshëm qoftë për paragjykimet me të cilat duhet të përballemi kur është fjala për të hapur ekonominë tonë, dyert e dritaret në mënyrë që të gjithë ata që duan të përfshihen në ekonomi t’i gëzojnë këto mundësi.

Do e shihni pse unë ato i quaj paragjykime dhe jo perceptime në realitetin për të pasur procese transparente dhe me integritet. Për të pasur procese që në fund shpërblejnë ato shtylla që i kanë bërë kompanitë tuaja të jenë me kaq shumë zë.

Natyrisht për ne si vend i gjithë ky proces është i shtrirë në kohë, ne vijmë nga një e shkuar aspak bujare me ne dhe tre dekada të rrugëtimit tonë në përpjekje për të ndërtuar një Shqipëri moderne dhe një ekonomi të hapur e konkurruese mund të konsiderohen shumë por edhe pak si rezultat i matjes së nivelit të eksperiencës. Pikërisht për këtë arsye, duke qenë se eksperienca nuk është në anën tonë ne i jemi referuar ekselencave ndërkombëtare dhe padiskutim në nivel botëror është kompania “Royal HaskoningDHV” e cila po punon intensivisht me seriozitet dhe kapacitete teknik e talent për t’u admiruar. Jemi shumë mirënjohës, nuk po punojmë falas që të jemi të qartë.

Holandezët janë sa të zotë aq dhe të shtrenjtë. Në fund të ditës e meritojnë atë që marrin, kështuqë nuk kemi asnjë ‘regret’ që po i paguajmë jo dhe aq lirë. Besoj që kompania është një nga arsyet, mos kryesorja që ju keni ardhur këtu me besim dhe unë dua t’ju siguroj që ne jemi shumë të nderuar që ju kemi këtu. Kam përpara listën e kompanive që siç e tha zv.kryeministrja ka një shtrirje gjeografike goxha mbresëlënëse dhe 30 kompani të mbledhura këtu për një projekt si yni na mbushin me optimizëm edhe pse në fund vetëm një kompani do të fitojë.

Kjo do të ndodhë si rezultat i një procesi që do ju bëjë të riktheheni në Shqipëri me më shumë respekt se herën e parë. Kemi nevojë për partnerët e duhur, me eksperiencë, që në vendet e tyre e kanë treguar zotësinë e tyre dhe ju jeni të gjithë të tillë.

Do keni mundësinë të ndiqni një prezantim dhe të përjetoni një eksperiencë unikale. Unë jam impresionuar sepse më është dukur sikur po prezantonte një atelie e Rilindjes në Firenze, janë ustallarë të një niveli mahnitës. Këta kënaqen me fjalët e mira por në fund te fatura nuk bëjnë asnjë konto, por hakun nuk e hanë fare.