Miratohen në unanimitet 14 pikat e rendit të ditës së mbledhjes jashtë radhe të Këshillit Bashkiak Durrës.
30 anëtarët e pranishëm në mbledhje ngritën kartonët jeshil në mënyrë unanime, për të gjitha pikat, ku pjesa më e madhe e tyre lidheshin me procesin e rindërtimit.
Më shumë se 3 vite pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, në bashkinë Durrës vijojnë problematikat e shkaktuara nga lëkundja sizmike.
Anëtari i KB-së, Artion Beqiraj kërkoi informacion lidhur me ecurinë e procesit të riforcimit në një nga pallatet me dëme DS4.
“Jemi duke bërë shkëputjen e energjisë elektrike, në mënyrë që të nisim punimet në kantier. Ka raste në këto pallate, që banorët vazhdojnë qëndrojnë brenda banesave në katet që kanë pasur më pak dëme dhe bëhen pengesë për vijimin e punimeve” ,- tha Sako.
Në të njëjtën kohë, kryetarja e bashkisë Emiriana Sako,bëri një rezyme të punimeve që po realizohen tek rreth 130 pallate dhe banesa individuale me shkallë dëmi DS4, pjesë e 7 loteve të rindërtimit në Durrës.
“Janë 7 lote ku janë duke u realizuar punimet në terren, por jo në të gjitha objektet në të njëjtën kohë, në bazë të një grafiku punimesh që kanë deklaruar në bashkinë Durrës.
Janë 67 pallate dhe rreth 69 banesa individuale të shpërndara në qytet dhe njësi administrative, punimet në të cilat realizohen brenda kontratave. Rast pas rasti ne i ndjekim edhe në terren me mbikqyrësit dhe inxhinierët e bashkisë për të shkuar drejt finalizimit të tyre”,- deklaroi kryebashkiakja.
Mes pikave të miratuara në mbledhjen jashtë radhe kaluan edhe disa lista të përfituesve nga grantet e programit të rindërtimit.





