Në këto ditë të acarta fillim-shkurti, kur temperaturat mëngjeseve zbresin nën zero gradë, nxënësit e shkollave periferike në Durrës vuajnë mungesën e sistemit ngrohës.
Prindërit e gjyshërit thonë se fëmijët ngrohen me rezistenca elektrike, që në të shumtën e rasteve i blejnë vetë.
“8 vjet i kam 3 fëmijët në shkollë, thonë o babi duam lekë të blejmë rezistencë, zgjatues. Ku i marrim lekët ne? Mezi hamë bukë vetë, jo më të blejmë rezistenca për shkollë“, u shpreh një prind.
Një zgjidhje modeste e vetë shkollave, ngrohëset e vogla elektrike duket se nuk janë efikase, prandaj, që të mos i lënë fëmijët me duar të ngrira në klasa, prindërit thonë se i veshin trashë.
“I veshim shumë trashë, që të mos kenë ftohtë. Me xhupa, me kapuça, me shalla, me çizme”, tregojnë ata.
Pyetur nga “DurrësLajm”, Zyra Vendore Arsimore Durrës tha vetëm se “mësimi ka vijuar normalisht në të gjjtha shkollat“.
Në këto raste, përballimi i të ftohtit në ambientet mësimore bëhet një sfidë më vete për nxënësit dhe stafin petagogjik.
K.Gj.





