Kryetarja e Partisë së Lirisë në Durrës, Kontjana Kuçi me anë të një deklaratë për mediat ditën e sotme ka akuzuar kryetaren e bashkisë Emiriana Sakon se vazhdon të tallet me durrsakët e prekur nga tërmeti.
Kuçi u shpreh se Sako ka pritur qëllimisht të vinin zgjedhjet e 14 majit “për t’i dhënë lëmoshën e radhës, e që kjo lëmoshë të shërbejë për të blerë votat e qytetarëve të ndershëm të Durrësit.”
Ndër të tjera ajo shton se administrata e re e bashkisë Durrës do të japë zgjidhje prioritare dhe afatgjatë për strehimin e banorëve dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.
Deklarata e plotë e kryetares së Partisë së Lirisë në Durrës, Kontjana Kuçi
Kryetarja e bashkisë në ikje Emiriana Sako, duke ndjekur hapat e shefave të saj në qeveri, vazhdon tallet dhe mashtron qytetarët e Durrësit.
E tmerruar nga ikja e turpshme që e pret në 14 Maj, zonja Sako ka mbledhur Këshillin Bashkiak për të bërë talljen e radhës me durrsakët e prekur nga tërmeti.
Kryetarja e bashkisë, Emiriana Sako, kishte plot 4 vite kohë që të jepte fondet dhe të riparonte shtëpitë e durrsakëve të prekur nga tërmeti i vitit 2019, por qëllimisht ka pritur të vinin zgjedhjet e 14 Majit, për t’i dhënë lëmoshën e radhës, e që kjo lëmoshë të shërbejë për të blerë votat e qytetarëve të ndershëm të Durrësit.
Kanë kaluar 4 vite nga tërmeti i vitit 2019, i cili i la durrsakët pa shtëpi, dhe në qiell të hapur.
Po aq vite, 4 vjet, kanë kaluar që i gjithë pushteti vendor në Durrës, nga kryetarja e bashkisë tek i gjithë Këshilli Bashkiak, ndodhet totalisht në duart e socialistëve.
Por, në asnjë prej ditëve të këtyre viteve, ata nuk u kujdesën për qytetarët.
Në këto 4 vjet, Emiriana Sako dhe Këshilli Bashkiak socialist i Durrësit kishin kohë të pagonin lekë për inceneratorët; kishin kohë të paguanin me taksat e durrsakëve projekte sipas interesave financiare të tyre; kishin kohë vetëm të vidhnin dhe të talleshin.
Epo tani janë qytetarët e Durrësit ata që nuk kanë më kohë për mashtrimet e Rilindjes dhe të kryetares së saj Emiriana Sako.
Në 14 Maj, Durrësi i rikthehet qytetarisë se tij. Durrsakët do të tregojnë me votë se dijnë të ndëshkojnë ata që i trajtojnë si skllevër që mund të shiten e blihen lirë në treg.
Ne i garantojmë të gjithë qytetarët e Durrësit të prekur nga tërmeti, se administrata e re e Bashkisë Durrës do të japë zgjidhje prioritare dhe afatgjatë për strehimin dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, për të gjithë ata qytetarë që sot janë lënë rrugëve nga Rilindja.
Partia e Lirisë i bën gjithashtu thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, institucioneve ndërkombëtare, të mos pajtohen me këtë shpërdorim dhe abuzim flagrant të administratës publike për llogari të interesave elektorale të qeverisë.
Faleminderit!