Njëra nga korsitë e bulevardit” Epidamn” ka qenë e bllokuar ditën e sotme për shkak të ndërhyrjeve në infrastrukturë që po realizohen në rrugën që gjarpëron rreth Torrës Veneciane, e cila gjatë këtyre ditëve do t’i nënshtrohet rikonstruksionit.
Punimet janë duke u kryer nga kompania, që ka realizuar rijetëzimin e Torrës Veneciane.
Rijetësimi i një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Durrës u shoqëruar me dëmtimin e rrugës, prandaj gjatë këtyre ditëve, ajo do t’i nënshtrohet rikonstruksionit.
Burime nga Ndërrmarrja Rruga bëjnë të ditur për “DurrësLajm” se pas ankesave të shumta të qytetarëve, kompania ka marrë përsipër riparimin e saj.
Një mjet i rëndë po “shkepte” paraditen e sotme të gjithë shtresën e betonit, ndërsa më pas do të ndërhyhet për rikonstruksionin e saj. Bllokimi i këtij aksi do të vijojë për disa ditë, deri në përfundim të punimeve, ndërkohë që lëvizja e mjeteve po devijohet në akset dytësore të zonës.
Rijetëzimi i Torrës Veneciane ka nisur në shkurt të vitit 2022. Ndërhyrja në monumentin e kategorisë së parë po realizohet me fondin e programit EU4Culture, në vlerën 690 mijë euro, ndërkohë që dorëzimi i objektit nuk është bërë ende, megjithëse në nisje të punimeve afati i përfundimit të tyre ishte 6 muaj.
Pas rivënies në funksion, Torra Veneciane pritet të kthehet në një qendër interpretimi të trashëgimisë kulturore.
M.B.





