Në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak Durrës u miratuan në unanimitet të plotë 17 pikat e rendit të ditës.
36 këshilltarët e pranishëm ngritën kartonin jeshil për të gjitha projektvendimet, një pjesë e madhe e të cilave lidheshin me procesin e rindërtimit.
Në fillim të mbledhjes, u betuan 3 këshilltarët e rinj, Arbër Elmadhi, Luljeta Metani dhe Ticjana Verori, të cilët zëvendësuan ish kolegët e tyre Jurgen Dashi, Valbona Begiçi dhe Nazmi Bodlli, që dorëzuan mandatin në nëntor të vitit të kaluar.
Dita e sotme ishte afati i fundit i dorëzimit të dokumentacionit për familjet që kanë aplikuar për banesa sociale, prandaj njëra nga këshilltarët kërkoi shtyrjen e afatit, pas vonesave nga Agjencia rajonale e Kadastrës për të lëshuar vërtetimet përkatëse.
Kryetarja Emiriana Sako deklaroi se nëse do të ekzistojë hapësira ligjore, një vendim i tillë mund të merret në vijim.
Megjithëse fillimisht ishin planifikuar 18 projekt vendime për miratim, pika nr.5 që lidhej me krijimin e këshillit artistiko-kulturor u hoq nga rendi i ditës.
M.B.





