Sekretari për çështjet zgjedhore dhe ligjore në degën e Partisë Demokratike në Durrës, Irakli Pina ka dalë në një deklaratë për mediat pasditen e sotme, në kuadër të 7 Marsit.
Gjatë fjalës së tij, Pina shprehu shqetësimin për gjendjen e keqe të shkollave në qytetin e Durrësit dhe në periferi të tij, që sipas tij nuk janë në prioritetin e bashkisë. Ai shton se ka akoma shumë nxënës që mësimin e bëjnë me turne.
Po ashtu, Pina falenderoi mësuesit për punën dhe përkushtimin e palodhur të tyre edhe pse nuk shpërblehen nga bashkia, ku shton se kjo e fundit i kujton vetëm një herë në vit.
Deklarata e plotë:
Dua ta nis këtë deklaratë me një urim zemre për të gjithë ata që sot do t’i konsideroj përçues të dijes, edukues të brezave të ardhshëm, fytyra e kombit shqiptar!
Do dëshiroja shumë që kjo atmosferë festive e kësaj dite tejet të rëndësishme për arsimtarët tanë, të mos mbetej vetëm mes tufave të luleve, urimeve të ndjera të nxënësve apo dedikimeve në rrjetet sociale, por të shkonte përtej, pikërisht aty ku preket më fort figura e tyre, tek dinjiteti dhe mundësitë e kryerjes së misionit të tyre krejt fisnik e human.
Duke e kthyer fokusin pikërisht në qytetin tonë të dashur, Durrësin, duam të shprehim sot shqetësimin për dy gjimnazet ikonë, ‘Naim Frashëri’ e ‘Gjergj Kastrioti’, të amortizuar dikur, të painvestuar nga bashkia ndër vite e të shkatërruar sot, ku ende pas 4 vitesh janë rrënoja të shkretuara dhe nxënësit zhvillojnë mësimin me turne në shkolla të tjera 9-vjeçare. Në bankat e këtyre shkollave kanë kaluar ndër vite breza mësuesish e nxënësish që kanë bërë epokë në qytetin tonë, por ndjeshmëria e Bashkisë Durrës është minimale, për të mos thënë e papërfillshme kur vjen puna tek arsimi, dija.
Situata në qendër, pasqyrohet më së miri edhe në periferitë e qytetit tonë, ku rindërtimi i institucioneve arsimore nuk ka qenë prioritar. Nxënësit e Katundit të Ri, që prej 26 Nëntorit 2019, detyrohen të shkojnë në Fllakë e Qerret për të zhvilluar procesin mësimor, ndërsa në Sukth, prishja e shkollës riktheu sërish mësimin me turne.
Ofrimi i kushteve të përshtatshme për të ushtruar profesionin, është vetëm njëri aspekt, pasqyra e punës së mësuesve është pikërisht brezi i ardhshëm, të rinjtë e të rejat e qytetit tonë, por për fatkeqësinë tonë të përbashkët, në Sukth, në një klasë të parë ka vetëm 3 vogëlushë. Kemi më shumë burime të dijes, por kemi më pak nxënës, më pak mësues, e në realitetin e hidhur të Durrësit jeton i gjithë vendi ynë, i shpopulluar e i plakur.
Në këtë 7 Mars, një thirrje të fortë dëshirojmë të bëjmë për mesuesit e qytetit tonë, të lënë në harresë nga bashkia e aspak të shpërblyer për atë çfarë i japin komunitetit, me gjithë respektin ndaj punës e përkushtimit të tyre të vyer e të çmuar, por s’është e denjë aspak për përparëset e tyre që të përkujtohen e nderohen veç në një datë të vitit e t’i trajtojnë si dekor festiv. Mësuesit tanë kanë nevojë për më shumë nxënës për të përgatitur, më shumë shkolla për të dhënë mësim, kushte dhe standarde bashkëkohore, jo për t’ju ofruar një mbrëmje me shpenzime të paguara, as për shkrepje fotografish me buzëqeshje të stampuara pranë kryebashkiakes aktuale.
Dëshiroj ta mbyll me një mesazh drejtuar të gjithë qyetarëve:
T’jua bëjmë nxënësve dhe mësuesve tanë çdo ditë një festë të bukur duke vendosur arsimin në themel të shoqërisë dhe duke promovuar pikërisht dijen e kulturën si vlerat më sublime të ruajtura prej ‘Mësonjtores së parë shqipe’ e të trashëguara ndër breza!