Nga Durrësi ku zhvilloi një takim me strukturat e degës lokale, kryetari në detyrë i PD-së, Enkelejd Alibeaj, pohoi se në zgjedhjet lokale të 14 majit do të dalin me kandidatin e tyre, nëse grupimi i Sali Berishës nuk do t’ju bashkohet për të dalë me kandidat të përbashkët.

Duke iu përgjigjur pyetjes së bërë nga “DurrësLajm”, Alibeaj deklaroi se nëse dora e bashkimit e shtrirë ndaj kandidatit Igli Cara për t’iu bashkuar në zgjedhje do të mbetet pa përgjigje, PD nuk do të përsërisë gabimin e bërë në 2019.

Alibeaj: Unë kam detyrimin që së bashku me kolegët e mi të mbaj këtë pozicion dhe këtë qëndrim. Edhe njëherë të jemi të qartë, kjo dorë qëndron e hapur në mënyrë të sinqertë, por kurrë nuk do të ndodhë, që si në 2019-ën të jetë bosh. Do të ketë përfaqësuesin e saj.

DurrësLajm: Pra ju do të dilni me kandidat?

Alibeaj: Partia Demokratike e bëri njëherë gabimin në 2019-ën, po të doni ju kam dhe unë pjesën time për atë pozicion që kam pasur në 2019-ën që nuk morëm pjesë në zgjedhjet lokale, por nuk do të ndodhë më, do ta kenë përfaqësuesin e vet. Sfida që kemi ne është që të jemi bashkë.

Në të njëjtën kohë, Alibeaj i bëri thirrje të gjithë spektrit politik opozitar që t’iu bashkohen në zgjedhjet lokale për të krijuar një koalicion të gjerë për të mundur atë që ai e cilësoi regjimi i Edi Ramës.

Në një kohë, kur nga grupimi i Berishës është deklaruar prej kohësh kandidati opozitar që do të garojë përballë Emiriana Sakos së PS për postin e kryetarit të ri të bashkisë Durrës, nga grupimi i Alibeajt ende nuk ka një emër të shpallur publikisht.

Vendimi i marrë nga Gjykata e Apelit pak ditë më parë zhbëri vendimin e marrë nga gjyqtari Agron Zhukri dhe kthimin për rigjykim të vulës së Partisë Demokratike në gjykatën e Shkallës së Parë.

Trupa gjykuese me relatore Elona Mihalin, anëtarë Astrit Kalanë dhe Irda Kacerja prishi vendimin e Agron Zhukrit, i cili vendosi të njohë Kuvendin e Sali Berishës, të mbajtur me 11 dhjetor 2021. Kështu, me këtë vendim, Partia Demokratike tashmë e ka një kryetar dhe ai është Enkelejd Alibeaj.

M.B.