Bregdeti i Durrësit u shndërrua të dielën në një pistë të garave me kuaj.
16 kalorës me kuajt e tyre dhuruan spektaklin e rrallë të hipizmit në sektorin Rinia.
Pjesëmarrës ishin kalorës nga e gjithë Shqipëria, si dhe një nga shteti fqinj, Italia.
Ata morën pjesë në garat e shpejtësisë dhe rezistencës, që u ndanë në dy faza.
“Një fazë është 15 km. Bëhet pushimi, kontrolli i kuajve dhe nëse ata janë në gjendje vazhdon edhe faza e dytë me 15 km të tjera“, shpjegon Hilmi Myrtollari, përfaqësues i klubit shumësportësh “Skënderbeu”.
Ndërsa gjithçka e bëjnë prej pasionit dhe vetëfinancimit, kalorësit kanë vetëm një kërkesë për shtetin: Të mund të marrin pjesë në gara ndërkombëtare.
Këtë shqetësim e ngre organizatori i aktivitetit, Bekim Toro.
“Kjo ndodh vetëm nëse ministria e Bujqësisë na ndihmon me vënien e çipave të kuajve në të gjithë Shqipërinë, që të na lejojë të dalim jashtë shtetit, sepse për momentin kuajt shqiptarë nuk dalin dot të bëjnë gara internacionale”, thotë ndër të tjera ai për kamerën e “DurrësLajm”.
Edhe kultura e shqiptarëve për këtë lloj sporti duket se nuk është ajo që dashamirësit e tij presin.
Prandaj kalorësit dhe organizatorët shpresojnë se një ditë hipizmi do të kthehet në traditë.
“Është mirë, por duhet të jetë shumë më mirë. Fatkeqësisht në vendin tonë mungojnë nisma sportive dhe kjo bën që njerëzit të hallakaten me ato që ne dëgjojmë përditë. Do ishte shumë mirë dhe ky është ndoshta një mesazh për të gjithë të rinjtë, që të marrin pjesë në sporte, sidomos në sporte të tilla, që është edhe i bukur, edhe i shëndetshëm dhe të jep këtë lloj kënaqësie”, tregon kalorësi Taulant Nukaj.
Në përfundim të garave, organizuesit shpërndanë medalje në shenjë mirënjohjeje për të gjithë pjesëmarrësit, si dhe 3 kupa për fituesit:
Vendin e 1-rë: Hilmi Myrtollari nga klubi shumësportësh “Skënderbeu” me kalin Luna.
Vendin e 2-të: Taulant Nukaj nga Korça me kalin Nazir
Vendin e 3-të: Egli Santo nga Elbasani me kalin Shahana
K.Gj.







