Temperatura pranverore, shumë ngjyra dhe dekor festiv, muzikë dhe alegri në shesh. Kështu e priti sot Durrësi Ditën e Verës. Pranvera ka zbritur në qytet me gjithë sharmin e saj, ndërsa lulet kanë çelur kudo.

Verorja, simboli i kësaj feste nuk kishte sesi të mungonte, ndërkohë që ballokumet ishin produkti më i preferuar nga shumë qytetarë.

Megjithëse nuk është një festë tradicionale në Durrës, shumë nga qytetarët e kanë mirëpritur 14 Marsin.

Si në çdo festë tjetër, fëmijët janë ata që i gëzohen më shumë alegrisë së krijuar në sheshin “Liria”. Të veshur si personazhet më të dashur të filmave vizatimorë, ata festonin të gëzuar.

Për më të vegjlit, një foto mbetet kujtimi më i bukur nga kjo festë.

Si rrallëherë, sheshi qendror i Durrësit ishte i mbushur plot e përplot përgjatë gjithë paradites së sotme. Një festë më shumë në kalendar mbetet gjithnjë një mundësi e mirë për qytetarët për t’iu gëzuar ardhjes së pranverës.

M.B.