Një ditë më parë, prindërit e nxënësve të shkollës 9-vjeçare “14 nëntori” zhvilluan një protestë, në mbështetje të bojkotit të mësimit nga ana e nxënësve, që prej 4 vitesh mësojnë në shkolla të ndryshme pritëse, në pritje të rikonstruksionit të shkollës së tyre.
Për këtë situatë të vështirë me të cilën përballen me qindra familje ka reaguar Partia Demokratike dega Durrës.
Sipas PD-së, “qeveria dhe bashkia e Durrësit vijojnë të ndërtojnë institucione imagjinare 3D, ndërsa realiteti për durrsakët është krejt tjetër”.
Duke u ndalur te zvarritja disa vjeçare e procesit të rikonstruksionit të godinës arsimore, PD bën apel për zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj problematike.
“Të mos ua vështirësojnë jetën banorëve të Durrësit të cilët i duruan 4 vjet”.
Statusi i plotë:
Qeveria dhe bashkia e Durrësit vijojnë të ndërtojnë institucione imagjinare 3D, ndërsa realiteti për durrsakët është krejt tjetër. Nxënësit përplasen sa në një shkollë në një tjetër prej 4 vitesh, ndërsa shkolla 9-vjeçare “14 nëntori” është jashtë funksionit. Shkolla pësoi dëme të shumta nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, ndonëse në 2018-ën i ishte nënshtruar rikonstruksionit.
Prindërit dhe nxënësit të revoltuar bojkotuan procesin mësimor të hënën dhe kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme. Përveç kostove dhe shkëputjes nga puna për t’i dërguar nxënësit që të bëjnë mësimin pasdite ata theksojnë se fëmijët janë të lodhur dhe nuk mund të përqëndrohen. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë pafund. 4 vite është kohë e mjaftueshme për të ndërtuar një shkollë, por vetëm bashkia e Durrësit e ka të pamundur ta bëjë.
Institucionet shtetërore, bashkia dhe qeveria duhet të garantojnë procesin mësimor në shkollat 9-vjeçare, pasi siç e përcakton ligji, arsimi 9-vjeçar është i detyrueshëm. Të mos ua vështirësojnë jetën banorëve të Durrësit të cilët i duruan 4 vjet.