Dhimbje, lot dhe shumë trishtim. Largimi i parakohshëm nga jeta i operatorit Tristan Sherifi ishte një humbje e madhe jo vetëm për familjarët, por edhe për miqtë, kolegët dhe të njohurit.
Një varg i gjatë njerëzish i dha sot lamtumirën e fundit Tristanit, që rezervonte buzëqeshje dhe mirësi për këdo që futej në rrethin shoqëror të tij.
Për aktorin e mirënjohur Mirush Kabashi, ndarja nga jeta e Tristanit është një humbje e madhe për Durrësin.
“Sot Durrësit nuk i ka ikur një qytetar, por i ka ikur simboli i mirësisë. Siç thotë një fjalë popullore, ai ishte i miri i të tjerëve dhe i keqi i vetes. Zoti mesa duket të mirët i do pranë vetes. Ishte i parakohshëm largimi i tij”.
Si një njeri shumë të përkushtuar ndaj punës, të palodhur dhe profesionist të lindur e kujtojnë kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt.
“Eshtë një dhimbje e madhe, sepse ishte një njeri nga i cili kemi mësuar shumë. Ai rrezatonte gjithnjë sinqeritet, dashuri, dhe këtë e reflektonte përmes buzëqeshjes së tij ikonike”,- kujton ndër të tjera koreografi Gjergj Prevazi.
“Ishte një njeri korrekt, një profesionist shumë i mirë dhe mbi të gjitha një shok shumë i mirë. Ishte gjithnjë njeri i sakrificës”,– thotë gazetari Astrit Tahiri.
“Më tepër se një humbje e madhe për një mik, është një humbje e madhe për qytetin. Shikoni si është “shkulur” qyteti, është i gjithi këtu, sepse Tani rrezatonte shumë mirësi”:,- thotë mes dhimbjes për ndarjen nga jeta të mikut të tij gazetari Gëzim Kabashi.
Florian Vlashi, një mik i mirë i tij, kishte udhëtuar nga Spanja për të qenë i pranishëm në lamtumirën e fundit. Një vit më parë, do të ishte pikërisht Tristani që përshkroi mbi 5000 km me makinë për të realizuar disa intervista në qytetet spanjolle për realizimin e dokumentarit me rastin e 2-vjetorit të ndarjes nga jeta të regjisorit Gjergj Vlashi.
Sëmundja e rëndë dhe e pashërueshme e ndau para kohe nga jeta Tristan Sherifin, por në zemrat e të gjithë atyre që e njohën nga afër ai do të mbetet njeriu me buzëqeshjen e bukur dhe shpirtin bujar, që rrezatonte mirësi e dashuri.
M.B.





