Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako është konfirmuar nga kryeministri Rama për të kandiduar për një mandat të dytë në krye të bashkisë.

Në falenderimin e saj për besimin që PS ka tek ajo duke i dhënë mundësinë që të kandidojë për të qenë qytetare e parë e Durrësit edhe për një mandat tjetër 4-vjeçar, Sako thekson se do ta justifikojë me “punë dhe vetëm me punë e përkushtim në shërbim të qytetit dhe qytetarëve”.

Në postimin në rrjete sociale, Sako deklaron se dera e bashkisë do të vijojë të jetë e hapur për të gjithë qytetarët, ndërsa “së bashku do të jemi pjesë e transformimit të qytetit”.

Postimi i plotë:

Ndihem e nderuar që mora besimin për të kandiduar përsëri si kryetare bashkie e Durrësit. Falenderoj kryetarin e PS Edi Rama, drejtuesin politik të qarkut, Adrian Çela, kryesinë, forumet drejtuese, të gjithë socialistët dhe qytetarët e Durrësit.

Është detyrimi dhe angazhimi im madhor që ta justifikoj besimin që mu dha me punë dhe vetëm me punë e përkushtim në shërbim të qytetit dhe qytetarëve. PS do të ketë sukses në këto zgjedhje sepse qëllimi ynë i vetëm është zhvillimi i mëtejshëm i Durrësit dhe gjithë Shqipërisë dhe mbështetja jonë e madhe janë njerëzit e thjeshtë të këtij vendi të cilët e duan progresin dhe të cilëve ne u shërbejmë çdo ditë.

Dera e bashkisë do të vazhdojë jetë e hapur për të gjithë qytetarët e Durrësit me vullnetin për të dëgjuar problemet e gjithësecilit e me dëshirën dhe detyrën për ti shërbyer të gjithëve në mënyrë të barabartë siç kam bërë deri më sot.

Jam krenare që së bashku do të jemi pjesë e transformimit të qytetit. Edhe një herë dua t’i falenderoj të gjithë për besimin e dhënë dhe pas fitores të vijojmë punën për kthimin e Durrësit në një qyteti turistik evropian!

Mirënjohje pafund socialistëve dhe të gjithë qytetarëve të Durrësit që më kanë mbështetur në këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm të cilin do ta vazhdojmë sërish të gjithë bashkë për t’i shërbyer qytetit tonë të dashur.