Teuta ka hedhur një hap drejt qëndrimit në elitë edhe në sezonin e ardhshëm, teksa ka fituar ndeshjen e parë “play out” kundër Flamurtarit. Bregdetaret e trajnerit Edmond Jazexhi triumfuan me rezultatin 3-1 në takimin e zhvilluar në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”.
Teuta e filloi mirë, duke fituar bindshëm 25-16 në setin e parë, ndërsa e dyfishoi epërsinë e seteve, teksa mori edhe të dytin 25-21.
Flamurtari kërkoi reagimin, teksa u paraqit mjaft mirë në setin e tretë, aty ku vajzat e drejtuara nga Theodhori Driza triumfuan 23-25, duke ngushtuar në 2-1 me sete.
Por durrsaket u kundërpërgjigjën shpejt, teksa u shfaqën dominuese në setin e katërt, për të fituar 25-16, duke bërë të tyrin raundin e parë “play out”.
Më pas, më 5 prill do të jetë radha për ndeshjen e kthimit, takim që do të zhvillohet në Vlorë. Kujtojmë se skuadra që arrin numrin e dy fitoreve, siguron Superligën për edicionin e ardhshëm.