Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Shijakun Rezeart Tusha, ka reaguar pas kërkesës së Partisë Socialiste për çregjistrimin në zgjidhjet e 14 majit, pasi është dëbuar nga Zvicra në vitin 1997 për posedim të lëndëve nartoktike.

Në një dalje për mediat, Tusha tha se e ka deklaruar kundravajtjen në Zvicër teksa u shpreh i bindur se nuk do të tërhiqet nga gara e 14 majit.

“E kanë kot. Do të më kenë përballë më 14 maj, jo vetëm si kandidat por edhe si gardian të votës së lirë. Për shijakasit e mi kam vetëm një thirrje: mos u trembni! Bashkë fitojmë!” – tha ndër të tjera Tusha.

Deklarata e plotë:

Të nderuar bashkëqytetarë të Shijakut dhe rrethinave.

Të dashur vëllezër e motra shqiptarë!Siç mund ta keni parë, mediat pranë pushtetit, me porosi qeveritare, kanë nisur kundër meje një seri sulmesh bazuar në shpifje e shtrembërime.

Së pari, kjo dëshmon se i ka kapur paniku për humbjen pritshme më 14 maj, dhe shpresojnë ta mundin Partinë Demokratike dhe kandidatin e saj në tavolinë. Përpjekja për të më skualifikuar mua si kandidat të koalicionit “Bashkë fitojmë”, nuk bëhet se u intereson e vërteta, por se e dinë se çfarë i pret në Shijak këto zgjedhje.Së dyti, unë dua të sqaroj opinionin publik në lidhje me atë që qeveria dhe mediat pranë saj quajnë “dënim”.Fakt ky që ndodhet vetëm në imagjinatën e tyre, jo në dokumente zyrtare.

KQZ më ka regjistruar për zgjedhjet e 14 majit, për arsye se e kam dorëzuar formularin përkatës ku deklaroj se kam një kundravajtje në Zvicër, për shkelje të lejes së qendrimit. Këtë e kam deklaruar edhe në formularin për zgjedhjet e vititi 2021, kur kam qenë në listat e Partisë Demokratike, si kandidat për deputet.

Në 2021, kur u ngrit ky pretendim për ‘dënim’, KQZ e çoi formalisht ne Prokurorinë e Përgjithshme për verifikim të thelluar nga sektori i dekriminalizimit dhe mora dritën jeshile të kandidimit.

Kjo është e vërteta me dokumente, të cilat do t’i vë në dispozicion të medias dhe publikut bashkë me këtë deklaratë.

Kjo është pjesë e luftës politike, përpjekje amorale e qeveisë për të më skualifikuar nga zgjedhjet. Nuk u vë faj, se u është bërë huq që, ose i vjedhin zgjedhjet, ose i fitojnë pa asnjë kundërshtar përballë.

E kanë kot. Do të më kenë përballë më 14 maj, jo vetëm si kandidat por edhe si gardian të votës së lirë.Për shijakasit e mi kam vetëm një thirrje: mos u trembni! Bashkë fitojmë!