Në vigjilje të Pashkës katolike, që kremtohet mbrëmjen e sotme, një urim për besimtarët vjen nga famulltari i kishës së  Shën Domenikut në Durrës, at Bernard Caurana.

“Dëshiroj t’i uroj së pari të gjithë besimtarëve katolikë që të gjejnë kurajo të dalin nga varret e tyre të dëshpërimit, të problemeve, të shqetësimeve shoqërore, varfërisë shpirtërore dhe fizike.

I drejtoj atyre po ashtu një ftesë të gjithë qytetarëve që udhëhiqen nga parimet e besimit të krishterë si paqja apo dashuria, që dhe ata të gjejnë guxim dhe të dalin në dritë siç është dhe pranvera që ka ardhur tashmë. Siç çel natyra duhet të çelet dhe shpirti i njeriut.

Ju uroj të gjithëve Pashkë të bardha dhe të mbara”,- tha at Caurana në urimin e përcjellë përmes mikrofonit të “DurrësLajm”.

Mbi 1.3 miliardë besimtarë katolikë në të gjithë botën po përgatiten të kremtojnë Pashkën, që do të thotë “Kalim” nga vdekja trupore dhe frymore, në Jetën e Amëshuar. 

Pashka katolike simbolizon udhëtimin që bëri Jezusi në rrugën e tij me kryq në shpinë për t’u kryqëzuar për njerëzit. për në kryq.

Pashkët paraprihen nga një kohë parapërgatitore e agjërimit dhe përkorimit, e cila zgjat 40 ditë.