Kryeministri Edi Rama ka publikuar mëngjesin e sotëm fotoalbumin e dhurimit të pemëve për Durrësin të siguruara nga fondi zgjedhor i Partisë Socialiste, falë shkurtimit të shpenzimeve për mjete propagandistike elektorale.

Rama u ndal dje në Durrës ku u shpreh i bindur se bashkia e qytetit bregdetar do të ketë ngjyrat e rilindjes më 15 maj, ndërsa në tërë vendin, përballë një opozite të copëtuar, ai pret që të fitojë rreth 50 ndër 61 bashki.

Fushata po bëhet pa shumë zhurmë dhe siç thotë Rama, është një rrugëtim i gjelbër në bashkitë e vendit, në përmbushje të zotimit që me shkurtimin e shpenzimeve elektorale do të financohen dhurime pemësh në çdo bashki, duke e kthyer të parën fushatë që do të lërë pas më pak ndotje mjedisore, akustike e vizuale dhe më shumë oksigjen në stacionet e saj.