Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Shijakut, Elton Arbana, mbajti takimin e radhës me disa familje të qytetit të Shijakut si dhe shpalosi programin për 4-vitet e ardhshme, ku prioritet ndër të tjera do të jetë dhe asfaltimi i rrugëve jo vetëm në qendër të qytetit, por gjithashtu në zona periferike.

Duke iu referuar punës në vitet që la pas, Arbana vlerësoi administratën për arritjet gjatë procesit të rindërtimit. Kujtojmë këtu që Bashkia Shijak është e vetmja që ka përfunduar të gjithë procesin e rindërtimit.

“Është hera e parë në histori, që në Bashkinë e Shijakut, kemi një kandidat për herë të dytë në krye të bashkisë. Bashkia e Shijakut, pas rënies së tërmetit, ka punuar me orë të tëra për të bërë ç’është e mundur, që rindërtimi në Bashkinë e Shijakut, të jetë i përfunduar dhe jam krenar për të gjithë administratën, që ia kemi arritur të mbarojmë të gjithë rindërtimin në qytetin e Shijakut.”

Ndër të tjera në fjalën e tij, Arbana u ndal dhe në disa pika të programit të zhvillimit për qytetin e Shijakut në katër vitet e ardhshme.

“Në katër vitet që do të vijnë, ne kemi një program për Shijakun tonë. Të gjithë rrugët e paasfaltuara, do t’i asfaltojmë, jo vetëm në Shijak, por në të gjithë zonat rurale. Nuk do të kemi më asnjë moment probleme me ujin e pijshëm, ju tashmë jeni dëshmitarë që përmirësimi i ujit të pijshëm është realitet. Do të përfundojmë xhaminë e Shijakut. Do të përfundojmë pallatin e kulturës dhe do ta kthejmë zonën drejt agroturizmit.”

Projekti për argjinaturën e lumit Erzen, ishte një premtim për qytetarët e zonës, të cilët prej vitesh janë prekur nga dalja e lumit nga shtrati.