Sheshit kryesor të Golemit i vendoset emri i Dëshmorit të Atdheut, Nexhip Çopa.

Studenti 21-vjeçar i Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerave humbi jetën së bashku me 10 studentë dhe oficerë, në atë që ka hyrë në historinë e Forcave të Armatosura si tragjedia e Fekenit.

Autoritetet vendore, familjarë, miq dhe qytetarë të Golemit morën pjesë në ceremoninë e rastit ku u zbulua pllaka me emrin e studentit që humbi jetën 42 vite më parë.

Kryebashkiaku i Kavajës Redjan Krali dhe deputeti i zonës Etjen Xhafaj mbajtën fjalën e rastit në këtë ceremoni.

Tragjedia e Fekenit u konsumua më datë 6 shkurt 1981 në malin e Meçekut, ku ortekët e dëborës u morën jetën 11 studentëve dhe oficerëve dhe lanë qindra të plagosur, pjesëmarrës në stërvitjen ushtarake që po zhvillohej aty. Vëllai i Nexhipit, Vasip Çopa falenderoi autoritetet vendore për vendimin e marrë nga Këshilli Bashkiak Kavajë.

Gjatë ceremonisë morën fjalën edhe të mbijetuar nga tragjedia më e rëndë në radhët e Forcave të Armatosura Shqiptare, që për shumë vite mbeti një mister për opinionin publik.

M.B.