“Shkolla e mesme “Naim Frashëri” në Durrës do të jetë një tjetër shkollë me standarte evropiane pas përfundimit të rindërtimit. Kjo shkollë nuk do të shërbejë vetëm për zhvillimin e procesit mësimor, por do të jetë edhe një qendër komunitare për zonën.” Kështu është shprehur kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako gjatë inspektimit të punimeve në këtë godinë arsimore.

Ndërtimi i godinës së re të shkollës së mesme “Naim Frashëri” me 850 nxënës financohet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet programit EU4Schools zbatuar nga UNDP.

Kjo shkollë ka një traditë të gjatë në arsimimin e brezave në qytetin e Durrësit dhe prej kohësh ka qenë ndër shkollat më të suksesshme.

Në qytetin e Durrësit kanë përfunduar 18 godina të reja arsimore, të cilat u shembën pas dëmtimeve që pësuan nga tërmeti i vitit 2019. Dhe shumë të tjera janë në proces.