CSDC Durrës si pjesë e Rrjetit POP po punon për organizimin e Forumeve Publike me kandidatët për kryetar bashkie në Durrës në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Përballja e parë publike në Durrës është realizuar në zgjedhjet e vitit 2019 mes kandidateve Valbona Sako dhe Valbona Sakollari, ndërkohë që në zgjedhjet e pjesshme të marsit të vitit të kaluar 3 kandidatët në garë dështuan të përballeshin me njëri tjetrin.
A do të ndodhë edhe në këtë zgjedhje e njëjta gjë?
“DurrësLajm” intervistoi Mirjam Reçin, drejtuesen e qendrës CSDC, e cila organizon Forumin Publik për të mësuar më shumë sesi e kanë pritur kandidatët Emiriana Sako dhe Igli Cara ftesën për t’u realizuar një përballje publike.
Në përgjigjen e saj, Reçi bën të ditur se pavarësisht se e kanë mirëpritur ftesën, përballja mes kandidatëve nuk do të realizohet.
Secili prej kandidatëve do të marrë pjesë në Forumet Publike në ditë të veçanta. Kandidati Cara do ta zhvillojë debatin për Kontratën Sociale më datë 26 prill, ora 17.00 tek odeoni “Nikolin Xhoja”, ndërsa kandidatja Sako ende nuk e ka përcaktuar datën e përballjes.
Rrjeti POP është angazhuar me qytetarët përmes 12 organizatave lokale dhe 60 fokus grupeve në 12 bashki për të diskutuar çështjet prioritare të komuniteteve. Këto prioritete do të vijnë të finalizuar në 12 Kontrata Sociale në 12 bashki të vendit, të cilat përshkruajnë prioritetet dhe do t’u prezantohen kandidatëve në forumet publike.
Pjesëmarrja e qytetarëve dhe komuniteteve të veçanta në këto Forume Publike u jep atyre mundësinë të angazhohen drejtpërdrejt me kandidatët dhe të njihen me planet e tyre për të ardhmen e komuniteteve.
M.B.