Shumë shpejt do të fillojë rikonstruksioni i dy rrugëve në këtë zonë që ka qenë kërkesa juaj kryesore. Kështu është shprehur kryetarja e bashkisë Durrës Emiriana Sako gjatë një takimi me banorët e fshatit Vadardhë të njësisë administrative Sukth.

“Ne kemi dëshirën dhe vullnetin që të realizojmë çdo kërkesë të banorëve dhe gjithë komunitetit”, vijoi Sako. Kryebashkiakja ka dëgjuar kërkesat e banorëve dhe iu ka bërë të ditur atyre se tashmë dy rrugët e këtij fshati, “Zef Ndreka” dhe “Bosko”, me gjatësi afro 1.2 km do të rikonstruktohen brenda muajit të ardhshëm.

Në njësinë administrative Sukth janë bërë shumë investime gjatë këtij 3-vjeçari ku janë ndërtuar 5 godina të reja arsimore, është rehabilituar argjinatura e lumit Erzen në një gjatësi rreth 1 kilometër ndërkohë që puna vijon, janë pastruar rreth 4 kilometra kanale vaditëse e kulluese duke i ardhur në ndihmë fermerëve, janë shtruar disa rrugë dhe janë kryer edhe rehabilitime të tjera përsa i përket infrastrukturës.