Kreu i PS-së dhe njëherësh kryeministri Edi Rama nuk e nisi ditën e sotme në fushatë, por në selinë rozë pasi ka mbledhur Kryesinë e Partisë Socialiste mëngjesin e kësaj të mërkure. Në mbledhjen që zgjati rreth një orë, mësohet se është diskutuar lidhur me programin e fushatës në ditët në vijim.
Ndërkohë, “DurrësLajm” mëson se ditën e sotme pritet që kryeministri Rama së bashku me kryebashkiaken e Durrësit Emiriana Sako të nisen drejt Mbretërisë së Bashkuar. Qëllimi i udhëtimit të tyre në kulmin e fushatës, lidhet me marrëveshjen që Rama paralajmëroi dy ditë më parë teksa ishte në Durrës, ku bëri të ditur se qeveria është duke negociuar për të sjellë në Durrës një nga akademitë më të mira të një ekipi futbolli botëror.
Mësohet se marrëveshja do të bëhet me ekipin anglez “Manchester City”.
“Jemi duke negociuar një marrëveshje të re për të sjellë në Durrës një nga akademitë më elitare të futbollit të një prej skuadrave më të rëndësishme të botës. Duam ta sjellim në Durrës si një pol të ri e cila do jetë derë e hapur për talentet që do duan të provojnë veten e tyre. Paralelisht me akademinë e futbollit do të jetë edhe një shkollë e futbollit për fëmijët, e cila do jetë shumë më e gjerë sepse akademia, do jetë strukturë plotësisht e mbështetur te garancia e talenteve, ndërsa shkolla e futbollit do jetë strukturë për shumë më tepër fëmijë. Dhe ky nuk është një projekt që do presim vite, po e negociojmë aktualisht. Nuk mund ta them emrin e skuadrës, deri sa ta konkludojmë do ta mbaj veten”, u shpreh Kryeministri të hënën para të rinjve që ishin mbledhur tek Eco Parku.