Pasditen e së mërkurës, kandidati për kryetar i Bashkisë së Durrësit, Igli Cara ka qenë protagonist i Forumit Publik “Përballja e Ofertave Politike 2023 – POP 2023”.

Gjatë takimit, kandidati Cara është shprehur mbi deklaratën e kryeministrit, që nuk do të bashkëpunojë me bashkitë, që pas 14 majit do të drejtohen nga opozitarët.

Duke e cilësuar si një qëndrim antiligjor të kreut të qeverisë, zoti Cara ka bërë me dije se për realizimin e pikave në program do të bazohet te buxheti i Bashkisë së Durrësit.

Nga ana tjetër, grantet janë të përcaktuara për çdo njësi vendore në bazë të të ardhurave që çdo bashki gjeneron, ndaj shteti nuk mund të jetë si dëshiron zoti Rama.

Në përfundim të takimit u nënshkrua edhe kontrata sociale me drejtuesen ekzekutive të Qendrës së Zhvillimit të Shoqërisë Civile Durrës, Mirjam Reçi, e cila do të zbatohet gjatë mandatit 4-vjeçar 2023-2027.