Rishikimi i vlerës së taksave dhe tarifave vendore, me qëllim reduktimin e tyre mbetet objektiv kryesor i kandidatit Igli Cara nëse do të zgjidhet në krye të bashkisë Durrës.

Gjatë një takimi të organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë me përfaqësues të biznesit që operojnë në qytetin bregdetar, Cara nënvizoi se të ardhurat e vjelura nga taksat duhet të kthehen në shërbime në njësitë administrative nga të cilat përfitohen në mënyrë indirekte.

Fenomeni i shpopullimit ka shkaktuar problematikë të theksuar tek bizneset përsa i përket fuqisë punëtore dhe për këtë kandidati Cara kërkoi një pakt social.

Drejtuesi i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Alban Isteri ka sjellë në vëmendje kostot e shtuara për sipërmarrësit që gjenden përgjatë autostradës Durrës – Tiranë dhe që duhet të paguajnë edhe transportin për punonjësit.

Përditësimi i regjistrit të biznesit, rishikimi i tarifave të pastrimit, mjedisit, ndriçimit, gjelbërimit, taksa 0 për startup, bizneset rinore dhe të teknologjisë janë vetëm disa nga pikat në programin elektoral të kandidatit për kryebashkiak, Igli Cara, që synojnë t’i vijnë në ndihmë biznesit gjatë 4-vjeçarit të ardhshëm.

M.B.