“Bashkia e Durrësit ka bërë shumë në mbështetje të grave dhe vajzave”. Kështu është shprehur kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, në takimin e zhvilluar për barazinë gjinore me temë “Shoqëria fillon me të drejtat e Gruas”.
Në këtë takim organizuar nga Women Alb World merrnin pjesë presidentja e kësaj organizate Mirela Mezani, koordinatorja e përhershme e OKB-së në vendin tone, Fiona Mccluney, zv/ministrja e jashtme Artemisa Malo, aktorja e madhe shqiptare Margarita Xhepa, gazetarja angleze Alice Taylor, aktivistë dhe perfaqësues të institucioneve dhe organizatave që kanë në fokus mbrotjen e grave dhe vajzave.
Kryebashkiakja Sako në fjalën e saj tha gjithashtu se gratë dhe vajzat kanë qenë një mbështetje shumë e madhe në rrugëtimin 3-vjecar të saj në krye të bashkisë Durrës.
Në këtë takim ka folur edhe Fiona Mccluney, koordinatore e përhershme e OKB-së në vendin tonë. Ajo tha se kandidatët që marrin pjesë në zgjedhje duhet të jenë modele të përfaqësimit dhe të punojnë për zgjidhjen e problemeve të grave dhe vajzave.
Takimi është përshëndetur edhe nga aktorja e mirënohur Margarita Xhepa, e cila artistikisht shprehu mesazhet e saj.
Duke folur për punën që ka bërë bashkia Durrës për fuqizimin e rolit të gruas, barazinë gjinore dhe ndihmën e kategorisë së grave me probleme sociale, kryebashkiakja Sako tha se vetëm 3 vitet e fundit kemi ngritur 3 qendra të reja sociale në zonat periferike të bashkisë ndërkohë që në 9 qendra që kemi në bashkinë tonë marrin shërbim afro 1900 individë si: këshillim social, psikologjik dhe mbrojtje ligjore falas. Po kështu Sako theksoi se Bashkia ka ndërmarrë nisma edhe në drejtim të punësimit të grave e vajzave. Kryebashkiakja shtoi se aktualisht në këshillin aktual bashkiak 54 përqind e këshilltarëve janë gra dhe vajza me profesione të ndryshme.