“Kemi bërë investime të shumta në infrastrukturë, arsim, shërbime sociale në njësinë administrative të Sukthit, por do investojmë edhe për ngritjen e pikave të grumbullimit për fermerët e zonës, të cilët do të dërgojnë aty produktet e tyre”.

Kështu është shprehur kryebashkiakja e Durrësit dhe njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 majit Emiriana Sako. Kryebashkiakja Sako zhvilloi një takim me gra dhe vajza të kësaj njësie administrative ku ka folur edhe për projekte të tjera që janë realizuar dhe ato që pritet të bëhen në mandatin e ardhshëm 4-vjeçar.

Një banore e Sukthit, Romina Shpata, votuese e Partisë Demokratike, u shpreh e impresionuar nga investimet e kryera në arsim, duke ftuar bashkëqytetarët të mbështesin kandidaten e Partisë Socialiste Emiriana Sako në këto zgjedhje.

Duke folur për programin e ardhshëm 4-vjeçar, kryebashkiakja Sako tha se dy terrene sportive që janë në Sukth do të rikonstruktohen, ndërkohë që investimeve në arsim dhe sport iu vjen në ndihmë edhe Akademia e Sporteve që do të ngrihet pranë universitetit në Spitallë, ku fëmijë të grupmoshave të ndryshme do të stërviten nga trainerë të skuadrës së Manchester City. Në Sukth gjendet edhe një qendër sociale që bashkia ka ndërtuar për t’iu ardhur në ndihmë grave dhe vajzave të kësaj zone, ndërkohë që investime të tjera do të ketë edhe në cdo lagje dhe njësi tjetër administrative të bashkisë Durrës.