Mëngjesi i sotëm ka nisur me finalen e konkursit ndërkombëtar që garojnë për Projektin e Stadiumit të Ri të Durrësit, si qendër tjetër e qytetit.
Për finalen garojnë 3 studio prestigjioze të arkitekturës bashkëkohore: 51N4E (Belgjikë); Bjarke Ingels Group, BIG (Danimarkë) dhe MVRDV (Holandë).
Në prezantimin e tre projekteve marrin pjesë kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, kryebashkiakja Emiriana Sako, presidenti i FSHF-së Armand Duka etj.
Sako shprehet se ambicia është krijimi i modeleve të reja, ku stadiumet e qyteteve tona të mund të bëhen edhe motorë socialë dhe ekonomik zhvillimi.
Rama tha se në fushën e sportit në Durrës duan që të bëjnë shumë tepër, e që synojnë që ta kthejnë këtë qytet në një destinacion të talenteve të reja.
“Uroj që të kemi sot një tjetër projekt spektakolar si ai që kemi zgjedhur në Korçë, ku kemi pasur tre alternativa interesante. Jemi të vendosur që të bëjmë për Durrësin shumë më tepër akoma. Durrësi ka përpara një të ardhme e cila është gjithnjë e më e afërt e cila është shumë domethënëse dhe kuptimplotë. Në fushën e sportit duam të bëjmë shumë më tepër. Ky është një nga projektet, projekti tjetër është që të kthejmë Durrësin dhe një destinacion të talenteve në shkallë kombëtare dhe rajonale”, u shpreh Rama.