Do të vazhdojmë transformimin e mëtejshëm të lagjes 17, duke punuar njëkohësisht me programin e rindërtimit, shtimin e hapësirave të gjelbra dhe parkimin publik. Kështu është shprehur kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste në takimin me banorët e lagjes 17.
Sako tha se e gjithë lagjja 17 dhe zona përballë saj, janë kthyer në një kantier të madh ndërtimi, pjesë e së cilës është linja hekurudhore Durrës-Tiranë, ngritja e godinës për parkimin publik, ndërsa po punohet për parkimin e rezidentëve nëpër lagje.
Në takimin me banorë të kësaj lagjeje, ka qenë e pranishme edhe deputetja Klodiana Spahiu e cila tha se Sako, e mori drejtimin e bashkisë në një situatë të vështirë, kur qyteti ishte goditur nga tërmeti dhe më pas pandemia. Spahiu shtoi se kryebashkiakja Sako ka punuar shumë duke iu gjendur pranë të gjithë banorëve pa dallim të majtë apo të djathtë.
Duke u ndalur tek transformimi i qytetit me projekte madhore, që po shtrihet në çdo cep të tij, Sako tha se po punohet që ky qytet të bëhet ndër qytetet më të aksesueshëm, ku përparësi gjithashtu do t’i jepet parkimeve dhe shmangies së rëndesës së trafikut nëpërmjet investimit të unazave të qytetit.