Kemi bërë një punë të jashtëzakonshme dhe tashmë kemi një lagje të re në të cilën jetojnë shumë familje në kushte shumë herë më të mira. Kështu është shprehur kryebashkiakja Emiriana Sako, në takimin me banorë të njësisë administrative Manëz në lagjen e re të kësaj njësie.
Kandidatja e PS-së për bashkinë e Durrësit, tha se përveç programit të rindërtimit që po vazhdon me ndërtimin e shkollave të tjera, do të investojmë edhe për bujqësinë duke ngritur një pikë grumbullimi agro-përpunuese, në të cilën fermerët të kenë mundësi të depozitojnë produktet e tyre.
Drejtuesi politik i qarkut Adrian Çela është shprehur se lagjja e re e ndërtuar pas tërmetit në Manëz është një lagje model që u ndërtua falë punës së bashkisë Durrës me mbështetjen e qeverisë dhe kryeministrit Rama.
Gjatë mandatit të ardhshëm 4-vjeçar bashkia e Durrësit do të bëjë të mundur që të zgjidhen të gjitha problematikat e kësaj njësie administrative, duke u përqendruar në investimet e mëtejshme në infrastrukturë, bujqësi dhe ujin e pijshëm.