“Jemi krenarë që lagjen 18, dikur një lagje problematike, ta kthejmë në një lagje moderne me infrastrukturë të përmirësuar ndjeshëm”. Kështu është shprehur kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 majit në takimin me banorë të lagjes 18 dhe 8.

Sako tha se këtu kemi realizuar një investim me shumë vlerë, pasi 40 pallate janë rehabilituar dhe nga ky investim përfitojnë rreth 1 mijë familje.

Në lagjen 18 gjendet edhe stadiumi i qytetit, ndërkohë që me zbatimin e projektit për stadiumin e ri, në këtë lagje ndërthuren mjaft mirë infrastruktura e përmirësuar, bashkë me qendrën e re social-ekonomike që do të krijohet pas zbatimit të këtij projekti.

Kryebashkiakja Sako përmendi edhe investimet që kanë nisur për rindërtimin e shkollave “Naim Frashëri” dhe “Bernardina Qeraxhia”, të cilat do të jenë gati vitin e ardhshëm.

“Projektet madhore që po zbatohen në Durrës, si ai i Marinës, Porti i ri në Porto Romano, Stadiumi i ri dhe Akademia sportive e Manchester City, janë projekte që do të sjellin një zhvillim të madh për Durrrësin, prandaj ju ftoj që në datën 14 të vazhdojme me këto punë që kemi nisur”, tha midis të tjerash Sako.