Mbrëmjen e sotme do të zhvillohet nata e dytë e festivalit të madh të “Eurovizion Song Contest 2023” ku do të performojnë në skenën gjigande këngëtarja Albina dhe Familja Kelmendi me këngën “Duje” të cilët përfaqësojnë këtë vit Shqipërinë.
Këngëtarja ka folur së fundmi gjatë një interviste në programin “Ditë pas Dite” nëpërmjet një lidhjeje Skype, ku tregoi për mirëpritjen që i është bërë këto ditë në Liverpool, emocionet për finalen dhe konkurrencën që ndjejnë shtetet e forta.
“Sot kemi pasur provën gjenerale të cilën do ta nxjerrim për pak kohë. Vlerësimi i BBC është me të vërtet i mrekullueshëm. Kemi shpresa dhe shumë emocione. Koreografia dhe performanca është e thjeshtë dhe e përshtatshme me këngën për të dhënë një mesazh shumë të rëndësishëm. Në skenë do të jemi 6 anëtarë të familjes. Shqip do të flasë kënga dhe kemi kombinuar skenën dhe veshjen dhe nuk na ka mbetur asnjë element tjetër. Falë meje kanë filluar kurse të gjuhës shqipe nga kënga që do të këndohet shqip, madje edhe audienca e ka perceptuar shumë mirë. Shtetet e forta na shohin si konkurrentë. Votoni këngën “Duje”, na mbështetni sepse vetëm nuk mund t’ia dalim. Unë jam e bindur se ne do të arrijmë në finale sepse kemi dëgjuar që na kanë vlerësuar shumë. Jemi të gjithë të emocionuar secili në mënyrën e tij por gjithsesi emocione pozitive. Shpresojmë të bëjmë krenar të gjithë shqiptarët”, u shpreh Albina.