Kur vetëm pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 14 majit, situata në Durrës duket e qetë, por kjo i përngjet qetësisë para stuhisë.
Dhe nuk po flasim për stuhinë që lidhet me kushtet atmosferike të ditëve të fundit, por për situatën në prag të zgjedhjeve lokale.
Pas 23 vitesh në pushtet, socialistët kërkojnë ta kenë për 4 vite të tjera bashkinë, ndërkohë që demokratët synojnë rotacionin politik, të munguar prej më shumë se dy dekadash.
Emiriana Sako kandidon për një mandat të dytë, pas fitores së arritur përballë dy rivalëve demokratë Ardian Muka dhe Luan Hoti në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit të vitit të kaluar (Sako – 58.4%; Muka – 29.6% dhe Hoti – 11.8%).
Ndërkohë Igli Cara, ish-deputet dhe ish-kryetar i PD-së lokale, synon mandatin e parë dhe rikuperimin e diferencës së thellë të vitit 2015, kur demokratët me kandidaten Grida Duma humbisnin me rreth 15 mijë vota më pak sesa rivali socialist Vangjush Dako.
4 vite pas mospjesëmarrjes në zgjedhjet lokale të 2019-ës, të djathtët synojnë bashkinë përmes kandidatit Cara, ndërkohë që janë të ndarë në listat për Këshillin Bashkiak, pasi dy grupimet e Berishës dhe Alibeajt garojnë me kandidatët e tyre për 51 vendet e këshilltarëve.
Në zgjedhjet e pjesshme të vitit të kaluar, dominimi i PS-së në të gjitha njësitë administrative dhe brenda në qytet ishte mjaft i dukshëm. Për herë të parë, demokratët humbën bastionin e tyre, Katundin e ri, ndërkohë që brenda në qytet kandidati Ardian Muka arriti të fitonte ndaj rivales socialiste në vetëm 12 qendra votimi, nga 228 që ka në total qyteti.
Më 14 maj janë në total 266.159 qytetarë të Durrësit, që duhet t’u drejtohen kutive të votimit, ndërkohë që në zgjedhjet e një viti më parë pjesëmarrja ishte në nivelin 26%. Rreth 3500 votues do t’i drejtohen për herë të parë kutive të votimit.
Në bashkinë Durrës janë 337 qendra votimi, ndërsa procesi i numërimit do të mbahet në 4 ZAZ-të nr.21; 22; 23 dhe 24 (te Pallati i Sportit dhe tek shkollat “Marie Kaçulini”, “Jan Kukuzeli” dhe “Leonik Tomeo”).
Si deputet i qarkut të Durrësit, kryeministri Rama ka qenë mjaft aktiv gjatë fushatës, madje u shfaq edhe në spotin publicitar të kandidates Sako, duke shprehur kështu mbështetjen e tij të plotë ndaj saj.
Ndryshe nga demokratët që e realizuan pasditen e së mërkurës takimin përmbyllës të fushatës, në sheshin “Liria”, socialistët kanë zgjedhur orët e fundit para heshtjes zgjedhore për ta realizuar takimin në po të njëjtin vend.
M.B.