Pas fitores në dy njësitë administrative Ishëm dhe Manzë, në të cilat ishte koordinator i fushatës për zgjedhjet lokale të 14 majit, deputeti i Durrësit, Jurgis Çyrbja ka zhvilluar ditën e sotme takime derë më derë me mbështetësit për t’i falenderuar personalisht.
“E nisëm ditën sot me banorët fantastik të Ishmit dhe Manzës, pas uraganit të fitores! Faleminderit!
Pas një fitore të jashtëzakonshme, qëndrojnë njerëzit që besuan tek ne!
Falenderues dhe mirënjohës, pasi çdo shtrëngim duarsh këto ditë ka qënë frymëzim për të ecur përpara të sigurt.
Banorët e Ishmit dhe Manzës janë një komunitet i vogël, por me zemër të bardhë e të pastër, që qëndrojnë fisnikërisht në Durrësin tonë!”,– shkruan në një status në rrjete sociale deputeti Jurgis Çyrbja, ndërsa publikon edhe foto nga takimet me simpatizantët dhe banorët e zonës, të cilët dy vite më parë e votuan për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë.
Çyrbja ishte funksionari i parë i PS në Durrës që reagoi me një status në rrjete sociale në orët e para të mëngjesit të së hënës, menjëherë pas përfundimit të numërimit të kutive të NJA Ishëm ku kandidatja Sako mblodhi 1355 vota, kundrejt 936 votash të rivalit Igli Cara.
“Faleminderit Ishmiiiiiiiiiiiiiiiiii. Si asnjehere tjeter me fitore me 60% Emiriana Sako. Përulje dhe mirënjohje për banorët e Ishmit”,- shkruante Çyrbja mëngjesin e 15 majit, ndërsa vetëm disa orë më vonë ai i dedikoi një postim në rrjete sociale fitores në NJA Manzë, ku shkruante:
“Nuk kisha dyshime që Manza di te bejë zgjedhjen e saj me të mirë me një rezultat 60%. Falenderime pa fund për të gjithë banorët e Manzës në veçanti Manza e vjetër”.
Diferenca në vota e krijuar në Ishëm u thellua më tej në njësinë tjetër administrative, atë të Manzës, ku Sako fitoi me rreth 600 vota më shumë sesa kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë”.
Të njohura dikur si bastione të PD, dy njësitë administrative në periferi të Durrësit janë kthyer prej vitesh në zona ku PS fiton dukshëm.
Pas numërimit të 342 kutive të bashkisë Durrës, Emiriana Sako u rizgjodh si kryebashkiake e Durrësit për një mandat 4-vjeçar, me një diferencë prej më shumë se 9000 vota.