Ekipi i Teutës në mundje arriti rezultatet pozitive në Kupën e Shqipërisë për të rritur, konkurs ky që u zhvillua në fundjavë në sallën “Farie Hoti” në kryeqytet.
Teuta e drejtuar nga trajneri Sinan Trimi, mori pjesë me 10 sportistë duke u ngjitur në shkallën e dytë të podiumit në stilin e lirë. Tirana doli kampione, ndërsa Vllaznia e treta. Ndërkohë në stilin greko-romak, Teuta nuk mori pjesë.
Mundësi më i mirë i Kupës së Shqipërisë, u shpall Endrio Avdyli, i cili garon në peshën 61 kg.
Një paraqitje mjaft e mirë u shfaq edhe nga mundësi Marjus Malko, i cili doli i pari në peshën 92 kg, po në stilin e lirë.
Ndërkohë në vendin e dytë dolën plot 6 mundës nga Teuta: Haxhi Sina, Ylli Xhani, Hekuran Troplini, Marin Jaku, Arjan Danaj dhe Ardit Domi.