Lajmi i lëshimit të urdhër arrestit në mungesë nga ana e SPAK për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako bëri xhiron e mediave këtë pasdite.
Ish-qytetari i parë i Durrësit për 12 vite me radhë u vetëdorëzua në policinë e Tiranës, pak më parë, ndërkohë që ai akuzohet për “Shpërdorim detyre” së bashku me 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë të bashkisë së qytetit bregdetar.
Lajmi për lëshimin e urdhër arrestit për Dakon qarkullonte prej disa ditësh, ndërkohë që para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 14 majit përflitej se ai do të arrestohej nga SPAK.
Por duket se Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion priti që urdhër arrestin e bujshëm ta lëshonte pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale, ku PS arriti të siguronte një tjetër mandat 4-vjeçar, në bashkinë që e drejton prej 23 vitesh.
Arrestimi i Dakos pas zgjedhjeve të sjell ndërmend një tjetër masë arresti të bujshëm, të ekzekutuar dy vite më parë. Protagonist ishte një tjetër ish-kryebashkiak dhe ish-deputet i qytetit bregdetar, njëkohësisht ish-ministër, Lefter Koka.
Dikur ishin shumë të afërt me kryeministrin Rama si gjatë këtij inspektimi (në foton kryesore) të investimit që po realizohej në kodrën e Currilave në vitin 2015, kur Koka ishte Ministër Mjedisi.
Koka fitoi një mandat deputeti në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 nën siglën e PS-së, duke u renditur pas kryeministrit Rama si deputeti më i votuar në qark. Por vetëm pak muaj më pas ai dorëzoi mandatin, duke mos dhënë arsye të qenësishme.
Por ajo që Koka nuk e artikuloi dot u bë shumë e qartë për publikun, fill pas arrestimit të tij nga ana e SPAK për aferën e inceneratorëve, në dhjetor 2021.
Dako dhe Koka janë të dy ish-kryebashkiakë dhe figura mjaft të njohura në Durrës, me shumë ndikim në elektorat.
A u përdorën ata të dy nga kryeministri Rama në dy palë zgjedhje për të garantuar fitoren e PS-së dhe më pas u “dorëzuan” prej tij? Duket pak si mallkim që i ka zënë dy ish-kryebashkiakët që pasuan njëri-tjetrin në postin e qytetarit nr.1 të Durrësit (Koka përfundoi mandatin në vitin 2007 dhe u pasua nga Dako në këtë post).
Fakt është që Dako i shpallur non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit në korrik të vitit 2019, dikur konsiderohej mik nga kryeministri Rama, që sot u shpreh se “për herë të parë në historinë e vendit tonë, po goditen njerëz të lidhur me pushtetin” duke iu referuar kështu arrestimit të ish-kryebashkiakut të Durrësit, pavarësisht se nuk e përmendi në emër.
Vërtet po goditen njerëz të lidhur me pushtetin, por a do kishin ndikim këto arrestime nëse do ndodhin para apo gjatë fushatave elektorale të dy viteve të fundit?
Këtë s’mund ta dimë përsa kohë PS arriti fitoren që Rama kërkonte në qytetin bregdetar në vitin 2021 dhe 2023. Dhe në fushatë, Koka (2021) dhe Dako (2021; 2023) ishin protagonistë të padiskutueshëm.
M.B.