13 qershori përkon me mbylljen e pelegrinazhit 13-javor në Kishën e Shna Ndout në Laç, ku mijëra besimtarë i drejtohen vendit të shenjtë dhe kalojnë natën bashkë me të afërmit të tyre duke u lutur.

Por 13 qershori i shenjtë është kaluar ngjashëm edhe pranë kishës së Shna Ndout në Kepin e Rodonit, dhe këtë na e zbulon deputeti i Durrësit Jurgis Çyrbja, i cili i është bashkuar edhe ai vetë traditës së vjetër të zonës.

Çrybja shprehet se ka takuar njerëz fantastikë në pelegrinazhin e besimtarëve katolikë.

“E njohur ndryshe si Kisha E Zojës, në historinë e zonës është e gdhendur ndër shekuj, për nga mrekullitë e saj. E vendosur në një reliev të pikturuar nga natyra. Kisha pret çdo vit me mijëra turistë dhe besimtarë!”, thotë deputeti teksa publikon edhe disa foto.

Deputeti është ndalur më tej edhe në fshatin Bizë, të Njësisë Administrative Ishëm, ku ka vizituar nga afër punimet për ndërtimin e kopshtit të ri për të vegjlit e zonës!

“Do të ndërtohet një godinë e re më e bukur dhe më funksionale. Ky shtator do t’i gjejë vogëlushët në ambientet e kopshtit të ri, me standarde evropiane.”, shkruan Jurgis Çyrbja.