Sapo ka nisur mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak Durrës, të dalë nga zgjedhjet lokale të 14 majit.
Mbledhja e parë, gjatë të cilës do të bëhet konstituimi i këshillit dhe do të zgjidhen drejtuesit e tij drejtohet nga këshilltari dhe ish-deputeti Rolant Xhelilaj.
Në mbledhje janë të pranishëm 49 anëtarë të KB, nga 51 që janë në total, njëri prej të cilëve ka njoftuar që në mëngjes që nuk do jetë i pranishëm.
Mbledhjen gjithashtu po e ndjekin nga afër edhe ministrja e Shtetit për Standardet Milva Ekonomi, si edhe deputetët e qarkut Klodiana Spahiu, Jurgis Çyrbja, kreu i PS-së Durrës Luan Zaza etj.
Këshilltari i PS është më i vjetri në moshë mes këshilltarëve të Durrësit e si rrjedhojë do të drejtojë mbledhjen gjatë të cilës do të votohet për zgjedhjen e kryetarit/es së ri të KB, si dhe zvkryetarit/ëve të KB Durrës.
Gjatë mbledhjes do të zhvillohet edhe ceremonia e marrjes-dorëzimit të detyrës së kryetares së bashkisë, Emiriana Sako, e cila fitoi një mandat të dytë qeverisës. Njëkohësisht do të zgjidhet përfaqësuesi i këshillit të bashkisë në këshillin e qarkut.
Pas 4 vitesh, opozita rikthehet të bëhet pjesë e parlamentit të qytetit me 13 anëtarë të dalë nga koalicioni “Bashkë fitojmë” dhe 5 anëtarë nga PD. Ndërkohë pjesa e mbetur e mandateve u shkon partive të vogla, respektivisht 3 mandate për Partinë Agrare Ambientaliste, 1 mandat Partia Socialdemokrate dhe 1 mandat për Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.