Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar sot anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që rrëzuan një kërkesë të opozitës për të shfuqizuar marrëveshjen e qeverisë për ndërtimin në Portin e Durrësit.

Në konferencën e përjavshme për shtyp ai tha se opozita do ta dërgojë këtë çështje në Strasburg.

“Duhet bërë një hetim nëse ata gjykatës kanë marrë ndonjë apartament në Dubai City të Edi Ramës apo jo me vendimin që morën. Marrëveshja e qeverisë është në kundërshtim të hapur me MSA-në dhe përparësi ka MSA-ja. Siç e dini është një marrëveshje pa garë dhe kjo përbën një shkelje të Kushtetutës që garanton garën e hapur dhe të lirë. Këto nuk janë motive për Gjykatën Kushtetuese por njësoj sikur të kenë marrë ndonjë apartament në Dubai City votuan pro. Ne do ta çojmë në Strasburg marrëveshjen. Në të njëjtën kohë përpiqen të kalojnë edhe çështjen e Butrintit. Nuk do të pranohet kurrë një vendim i korruptuar i kësaj gjykate. Është gjithçka në konflikt interesi në procesin e këtij koncesioni”, u shpreh Berisha.

Ai publikoi sot disa video të tjera të procesit të votimit në Elbasan ku sipas tij komisionerët e qendrave të votimit orientojnë qytetarët që të votojnë për kandidatin socialist.

“Këto video i ka parë KAS dhe i ka quajtur normale. Kam konstatuar që armiqtë më të këqij të ligjit janë juristët e korruptuar. Këto zgjedhje nuk mund të njihen. Këto zgjedhje janë dëshmia më e fortë, më flagrante për tu ngritur shqiptarët në një protestë dhe për të rikthyer votën e lirë”, tha Berisha.