Megjithë aksionet vullnetare për pastrimin e tij, lumi Ishëm vijon të jetë i mbuluar nga shishet dhe mbetjet plastike.
Lumi i transporton drejt detit ku më pas depozitohen në brigjet e plazheve dhe bregdetit tonë, por edhe më tej duke përfunduar në Mal të Zi, Kroaci etj.
Një video të fundit nga aty e ka publikuar kreu i degës lokale të PD Durrës, Dritan Burgija.
“Paguajmë taksa të larta po ato nuk përkthehen në shërbime. Deri kur?!”, pyet ai në postimin që shoqëron videon.
Postimi i plotë:
Ndotja mjedisore e shkaktuar nga mbetjet urbane ne lumin Ishëm është një plagë që nuk mbyllet. Lumi Ishëm derdh ne det sasi shumë të mëdha mbetjesh prej zonave urbane, kryesisht Tirana, Kamza, Kruja dhe Fushë-Kruja dhe kjo si pasojë e sistemit të dështuar të menaxhimit të mbetjeve nga autoritetet vendore. Ujrat e zeza dhe ato industrialë nuk përpunohen dhe derdhen aty.
Plehrat dhe mbeturinat sillen nga lumi Ishëm në deltën e tij në detin Adriatik, pranë Kepit të Rodonit. Mbeturina plastike, përfshirë edhe ato spitalore, kanace, inerte, etj.,
Lumi Ishëm është konsideruar shpesh dhe si një ndër burimet më të mëdha të ndotjes së detit Adriatik, veçanërisht për plazhet e Durrësit të cilat ndodhen vetëm pak kilometra larg grykëderdhjes së tij dhe që frekuentohen nga qindra mijëra pushues.
Prej vitesh raportet mjedisore dhe ekspertët e fushës së mjedisit e ngrenë këtë problematikë po zgjidhje nuk ka. Shkatërrimi i natyrës, florës dhe faunës dhe problemet në shëndetin e banorëve nuk preokupojnë autoritet përgjegjese.
Sot përsëri deti u mbulua nga mbetjet.
Paguajmë taksa të larta po ato nuk përkthehen në shërbime.
Deri kur?!