I nxehti afrikan që ka mbërthyer vendin i ka boshatisur rrugët e qytetit të Durrësit. Pas mesditës, sheshi qendror i qytetit është thuajse i zbrazur tërësisht.
Të paktën qytetarë që “guxojnë” e dalin në këtë orë mundohen të përshkojnë rrugët apo rrugicat që ofrojnë sadopak hije, për t’iu shmangur të nxehtit të papërballueshëm.
Prania e lagështirës së lartë në ajër do të bëjë që i nxehti të ndjehet edhe më shumë në disa zona të Ultësirës Perëndimore.
Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit mbeten të larta si në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 19°C deri në 40°C.
Qarqet me temperaturat më të larta gjatë ditës së sotme janë ato në Elbasan, Berat, Gjirokastër dhe Tiranë, ku termometri do të ngjitet mbi 40 gradë C.
Temperaturat e larta të këtyre ditëve janë krijuar si pasojë e masave ajrore me origjinë nga Afrika që po prek pellgun e Mesdheut.





