Urbanisti Artan Kacani sapo ka nxjerrë nga botimi librin e tij “Durrësi urban, para dhe pas pavarësisë kombëtare”.

Ky botim synon të hedhë dritë mbi ndryshimet urbane të qytetit nga antikiteti deri në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Me një histori mijëra vjeçare dhe transformime të vazhdueshme përgjatë rrjedhës së shekujve, ndryshimet urbane të Durrësit kanë ndodhur si rezultat i efekteve natyrore, njerëzore dhe shoqërore, sidomos në shekullin XX. E njohur si një nga lagjet kryesore të qytetit, autori na rrëfen disa nga transformimet që ka pësuar lagjja “Kala”.

“Ishte ndër lagjet kryesore të para Pavarësisë. Sipas dokumenteve statistikore të asaj periudhe nuk ndodheshin më shumë se 5000 banorë, ç’ka do të thotë që shumë banesa nuk ishin monofamiljare, por kishin shumë shtesa anësore apo vertikale. Sot, kapaciteti i lagjes nuk është më 5000 banorë, është shumë herë më i ulët.”

Vitet 1926-1928 do të ishin deçizive për zhvillimin urban të Durrësit të sotëm, duke nisur me bulevardin “Epidamn”.

“Ndërhyrjet pikësore kanë të bëjnë me bulevardin dhe kjo filloi me një ritëm të avashtë duke filluar nga viti 1926 deri në vitin 1928. Ka pasur përplasje të ndryshme në bashki, shumë nga banorët nuk dëshironin që të ndodhte ky lloj shpronësimi, paçka se vizioni ishte ndarë në atë periudhë. Këtu nis harta e parë që qyteti njeh, një hartë empirike, moderniste e ditëve të sotme. Harta e parë nis me bulevardin e Durrësit.”,- thotë ndër të tjera Kacani.

Në librin e tij, për ta bërë sa më të prekshëm dhe të kuptueshëm evoluimin e Durrësit nga periudha otomane në qytetin që po përqafonte modernizmin, autori ka përfshirë shumë dokumente arkivore, harta, referenca nga botime të historianëve apo arkeologëve të njohur, por edhe shumë tipologji ndërtesash, që haseshin kudo në qytet.

“Zgjidhja metodologjike, për mua si urbanist ishte një zgjidhje shumë e thjeshtë dhe natyrore. E nisa nga 5 harta të mëdha, 2 harta të periudhës otomane dhe 3 harta të pas Pavarësisë. Në momentin që zgjodha këto 5 harta të mëdha nisa të zbres në shkallën e lagjeve dhe më pas në infrastrukturën e qytetit”.

Të karakterizuar përherë si një popull me kujtesë të shkurtër dhe shpesh neglizhent për të dokumentuar ngjarjet dhe rrethanat historike, zhvillimin dhe transformimet urbane, urbanisti Kacani ka një apel për studiuesit, por edhe qytetarët durrsakë.

“Shpresoj shumë që ky libër të japë jehonën e duhur tek të gjithë ata dashamirës dhe lexues, të cilët të nisin të bëjnë të njëjtën gjë me qytetin e tyre. Kemi nevojë për konceptin e një ditari. Ashtu si në një anije, kur kapiteni apo ekuipazhi ndryshon ditari i anijes mbetet gjithnjë i njëjti. Shpresoj që qytetet tona të nisin të krijojnë një ditar të transformimeve urbane”.

“Durrësi urban para dhe pas Pavarësisë Kombëtare është një periudhë që përkon me çastin më të arrirë të planifikimit urban të qytetit”,- shkruan ndër të tjera Kacani në parathënie. Me këtë libër ai synon të vërë si shumë të tjerë një gur themeli në shkrimin e historisë antike dhe moderne të qytetit bregdetar.

M.B.