Të festosh ditëlindjen për disa është gëzim, por për shumë të tjerë shqetësim.

Hedhja e fishekzjarreve në mesnatë është një fenomen thuajse i përnatshëm në Durrës.

Mesnatën e së dielës, në 3 intervale të ndryshme, pak pasi ora shënoi 00.00, një mori fishekzjarresh u lëshuan në qiell nga 3 zona të ndryshme në qendër të Durrësit (pranë gjykatës dhe pranë shëtitores “Taulantia”).

Qindra personave, përfshi këtu fëmijë të vegjël apo të sëmurë kronikë, iu prish gjumi i natës, shumë të tjerë u zgjuan të frikësuar nga zhurma e beftë që prishi qetësinë e asaj ore të vonë.

Sa më pranë atyre që festojnë, aq më e madhe zhurma dhe frika e atyre që u prishet qetësia.

Pavarësisht se raste të tilla klasifikohen si vepër penale “Prishje e qetësisë publike”, në raportimet ditore të policisë së Durrësit mungojnë nisjet e procedimeve penale për personat, që hedhin mjete piroteknike, shpesh në mes të lagjeve, nga ballkonet e pallateve apo oborret e shtëpive të tyre.

Për ligjin nuk pyet njeri!

Megjithëse artikujt piroteknikë janë ndaluar me ligjin nr.73 të viitit 2021 për t’u tregtuar për përdorim civil nga publiku i gjerë (përjashtuar periudhën festive 15 dhjetor deri  në 1 janar) lëshimi i tyre i përnatshëm drejt qiellit të lë të kuptosh se për ligjin nuk pyet njeri!!!

Nëse për policinë është thuajse e pamundur ndalimi i të gjithë personave që festojnë duke prishur qetësinë publike, bllokimi dhe sekuestrimi i mjeteve piroteknike në pika apo nga individë online është i mundur.

Artikujt piroteknikë të kategorive F2 dhe F3 si fishekzjarre dhe kapsollë mund të shiten nga 15 dhjetori deri më 1 janar te qytetarët me moshë mbi 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç. Ndërsa përdorimi i tyre lejohet për personat mbi 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç vetëm gjatë periudhës 27 dhjetor deri më 1 janar.

Neni 36 ,pika 1 e këtij ligji thekson se nëse operatorët ekonomikë kryejnë  kundërvajtje administrative gjobiten nga 200 deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë të rinj nëse angazhohet në tregtimin e artikujve piroteknikë pa marrë autorizimin përkatës”,- thuhet ndër të tjera në ligjin nr.73 të vitit 2021 PËR HEDHJEN NË TREG DHE MBIKËQYRJEN E ARTIKUJVE PIROTEKNIKË”.

Policia e ka të shkruar e zeza mbi të bardhë që çdo shitje mjetesh piroteknike jashtë kësaj periudhe apo përdorimi i tyre nga individët përveç 6 ditëve të lejuara, përbën shkelje ligjore.

Rreziqet në shëndet nga përdorimi pa kriter i fishekzjarreve

Për shefin e Urgjencës së Spitalit të Durrësit, Gjergj Qerimi, kategoritë që rrezikojnë më shumë nga përdorimi pa kriter i fishekzjarreve në mesnatë janë:

-Fëmijët e vegjël, që tmerrohen kur u del gjumi nga shpërthimi i fishekzjarreve dhe mund të pësojnë traumë

-Të sëmurët kronikë, sidomos ata që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, pasi mund të pësojnë atak kardiak

-Pacientët që vuajnë nga çrregullimet e gjumit apo nga ankthi.

Ditëlindje festohen çdo ditë, për pasojë çdo lagje e qytetit bregdetar ka çdo natë një “spektakël” absurd zhurmash të padurueshme në mesnatë.

Krahas prishjes së qetësisë publike, mjetet piroteknike mund të përbëjnë rrezik edhe për ata që i përdorin.

Shefi Qerimi sqaron se rastet më të shpeshta të lëndimeve nga fishekzjarret janë ato në natën e ndërrimit të viteve, por nuk mungojnë edhe në periudha të tjera.

Ai klasifikon si dëmtimet më serioze lëndimin në sy apo në gishtat e dorës, pasi në këto raste pacienti rrezikon t’i humbë përgjithmonë.

“Imagjinoni çfarë “dhurate” i bëni një fëmije për gjithë jetën!”,- thotë mjeku Qerimi.

M.B.