Urime të përzemërta iu ka dhënë kryebashkiakja Emiriana Sako nxënësve të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë për një vit sa më të mbarë e të suksesshëm shkollor.

Ndërkohë Sako ndalet edhe në një urim të veçantë për nxënësit e klasave të para, që sot fillojnë rrugën e dijes, për mësuesit dhe prindërit.

“Uroj mësueset dhe mësuesit, si dhe i shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen për të gjithë përkushtimin, profesionalizmin dhe dashurinë që tregojnë në misionin e tyre fisnik për edukimin e brezave të ardhshëm.

Urime gjithashtu prindërve që janë mbështetja kryesore e fëmijëve, në realizimin e objektivave të tyre të jetës nëpërmjet dijes e shkollimit”, uron Sako.

Ndër të tjera, kryebashkiakja thotë se Bashkia e Durrësit ka bërë shumë punë për t’i krijuar kushte sa më të mira fëmijëve dhe mësuesve.

“Tre vitet e fundit në Durrës janë ndërtuar 20 objekte arsimore të reja me standarde evropiane ndërkohë që edhe ato ekzistuese janë në kushte optimale.

Puna vazhdon me ndërtimin e të tjera godinave arsimore me kushte bashkëkohore.

Kujdesi maksimal ndaj fëmijëve është prioriteti ynë pasi ata janë e ardhmja e shoqërisë dhe e qytetit tonë”, përfundon Sako.