Në muajin nëntor, pagat e të gjithë administratës së bashkisë, institucioneve në varësi dhe Policisë Bashkiake do të pësojnë rritje.

Këshilli Bashkiak Durrës kaloi sot me shumicë votash nivelin e ri të pagave të punonjësve të administratës.

4 anëtarët e PD-së në Këshillin Bashkiak votuan abstenim për të gjitha pikat e rendit të ditës që lidheshin me rritjen e pagave, ndërkohë që pika nr.3 që lidhej me nivelin e pagave të punonjësve të aparatit të bashkisë mori votën abstenim edhe të këshilltarëve të koalicionit “Bashkë fitojmë”.

“Ne si forcë politike në parim jemi pro rritjes së pagave, e cila duhet të reflektohet në rritje të cilësisë së shërbimeve, gjë që në të kaluarën nuk është reflektuar si duhet si dhe në rritjen e cilësisë së burimeve njerëzore. Vota jonë do të jetë abstenuese”,– tha këshilltari Jonuz Myshketa.

“Ne si demokratë kemi vendosur të votojmë pro ,meqë në këtë pikë është rritja e pagave të mësuesve, edukatorëve dhe zjarrfikësve, me shpresën se do të kthehen në shërbime në të mirë të qytetarëve”, – këshilltari Dritan Burgija i “Bashkë fitojmë”.

Në mbledhjen e KB-së u miratua me 31 vota pro, 10 kundër dhe 4 abstenim pika nr.6 e rendit të ditës që kishte të bënte me përdorimin e fondit të rindërtimit në vlerën 892 milionë lekë për rehabilitimin e rrjetit të kullimit në zonën e Porto Romanos-Kënetë dhe sistemimin e rrjetit të ujërave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit. Këshilltari Ardian Muka apeloi për një vëmendje të shtuar për pallatet e dëmtuara nga tërmeti dhe që ende pas 4 vitesh nuk i janë nënshtruar riforcimit.

“Neve sot akoma si qytet jemi me 47 pallate të cilat janë të shpallur DS4 dhe që presin për fonde. Meqenëse qeveria paska fonde nga procesi i rindërtimit, do të sugjeroja që këto fonde të kalonin për këtë shërbim, pasi kemi njërëz që janë jashtë, që marrin ose nuk marrin pjesën e bonuseve.”, tha Muka.

Ndërkohë pikat e tjera të rendit të ditës kaluan thuajse në unanimitet, pasi u votuan nga shumica dërrmuese e këshilltarëve të pranishëm. Më herët, bashkia njoftoi se hoqi nga rendi i ditës pikën nr.9 që kishte të bënte me  disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e miratuar në shkurt të këtij viti për miratimin në parim të vlerës financiare të shpronësimit për pronat private që preken nga investimi në shëtitoren e plazhit.

M.B.